636 mijë shikime për një ditë: Emisioni i sikletshëm që po turpëron popullin e Kosovës

Ditët e fundit, një emision televiziv ka marrë vëmendje shumë të madhe publike për shkak të numrit të madh të audiencës që ka tërhequr, incidenteve por edhe nivelit të dobët. Çka po mendohet në debatin publik deri tash për të?

Është fjala për një ‘spektakël realiteti’ (ang. reality show) të quajtur “It’s my home” (shq. është shtëpia ime).

Shifrat e shikueshmërisë së këtij ‘spektakli’ janë të frikshme. Dita e djeshme, 14 shtator, i mblodhi 636 mijë e 97 shikime vetëm në kanalin e saj në Youtube. Edhe dy ditët paraprake kishin shifra të ngjashme.

Por, çka po nxit gjithë këtë popullaritet?

‘Spektaklet’ e ngjashme televizive ekzistojnë edhe në vende tjera të botës. Mblidhen disa qytetarë në një banesë, e të cilët xhirohen gjithë kohës përgjatë ndërveprimeve që kanë. Koncepti është i ngjashëm me kopshtet zoologjike, e edhe i ngjashëm me distopinë e George Orwell “1984”.

Por, ky ‘spektakël’ prezanton disa veçori të caktuara pasi duket të ketë lëshime serioze organizative, momente të shumta të sikletshme dhe pjesëmarrës me personalitete jo aq të formuara.

Koncepti i këtij emisioni duket i tillë që të nxis përqeshje kolektive, duke shfrytëzuar paragjykimet ekzistuese kulturore e klasore në shoqëri.

“Autori i emisionit, më herët ka paraqitur personazhe të tilla të sikletshme (krinxh, ang. cinge) përmes aktorësh që kanë luajtur 10 minuta, e për ato 10 minuta kanë ushtruar një javë. Tash, ka gjetur aso personazhesh në jetë reale,” – na tha një ish bashkëpunëtor i autorit të emisionit, që dashur të mbes anonim.

A është qëllimi thjesht të nxitet përqeshja?

Shumë figura publike nuk kanë ngurruar ta komentojnë, pas bujës mbi audiencën e madhe.

Shoqëria e Kosovës, para pasqyres?

Nëse banorët në fjalë paraqesin ose jo nivelin kulturor e arsimor të përgjithshëm në Kosovë, është njëra nga pyetjet e shumta që janë shtruar në debatin publik.

Mentor Shuki, një figurë e show-biznesit, e ka komentuar në këtë formë emisionin në fjalë: “Dmth, nuk po iu pëlqen vetëvetja? Eh, tash nuk kom ça me ju bo. Keni kërkuar, shikoni… Vjen një moment si ky para pasqyres edhe të bjen zhetoni, ta rrokë, e sheh e të vjen marre. Kom pa individë që ju ka ndodhë, po edhe shoqnive si kjo e jona.”

Në anën tjetër, artisti dhe analisti Albert Heta është treguar më i ashpër dhe ka sulmuar në mënyrë të pakuptueshme kryeministrin Kurti për reagimin policor ndaj incidentit në këtë spektakël ku u sulmua një grua.

“Procedura e rregullt e Policisë se Kosoves kur e rrehë edhe e sulmon një gru apo një vajzë. Nëse e bën këtë publikisht, shkon te shpia si hero pa emër. Me vra bahesh i njohur. Kjo po ndodhë edhe me Albin Kurtin dhe gratë e tij “feministe”.” – ka shkruar z. Heta.

Ermal Sadiku, e ka quajtur “emisioni më i bukur për momentin” në mënyrë cinike.

Në anën tjetër, gazetari dhe opinionisti Ilir Mirena konsideron që ky emision do të mbetet më i shikueshmi, duke kritikuar shoqërinë kosovare për nivelin e dobët të saj.

Megjithatë, ka pasur edhe reagime të cilët i kanë etiketuar banorët si persona që mund të kenë paaftësi intelektuale.

Vlen të theksohet që Komisioni i Pavarur për Media (KPM) ka nisur procedurat ndaj emisionit “It’s my home” pas dhunës fizike të ushtruar dje ndaj një gruaje pjesëmarrëse.

(Visited 121 times, 1 visits today)