Albin Kurti vizitoi Shtëpinë e Bardhë, Ambasadori amerikan reagon pas kritikave për ‘foton tek shkallët’

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar në lidhje me takimin e kryeministrit Kurti me këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sulivan.
Përmes një postimi në Twitter, Hovenier ka thënë se vendi ku u takua Kurti është një nga zyret më të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë dhe jo korridor ose diçka tjetër, siç iu kanë referuar mediat.

Ai madje rikujtoi edhe takimin që kishte me ish kryeministrin Hashim Thaçi para disa vitesh, në po të njëjtën zyre ku ishte edhe Kurti.

”U befasova kur pashë disa histori të pasakta dhe mashtruese në shtypin lokal në lidhje me vendndodhjen e Kryeministrit Albin Kurti në takimet me nivel kabineti me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

Ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower është pjesë e Shtëpisë së Bardhë. Takimet komplekse dhe të nivelit të lartë, duke përfshirë Presidentin, Zëvendës Presidentin dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare mbahen në mënyrë rutinore atje’’, shkroi Hovenier.

Kujtojmë se Kurti zhvilloi një vizitë në SHBA e cila zgjati për gati 18 ditë. Atje nuk pati takime me zyrtarë të lartë shtetëror por takoi dhjetëra kompani teknologjike, derisa nga ta kërkoi që të investojnë në Kosovë.

Opozita kritikoi vazhdimisht këtë vizitë të Kurtit duke e cilësuar si ekskurzion e shëtitje. Madje disa nga ta thanë se Kurti nuk duhej të qëndronte aq gjatë derisa vendi po përballet me problem të shumta.

(Visited 103 times, 1 visits today)