BBC: Kur do të fillojnë ta paguajnë rrymën banorët e veriut, gjysma e Mitrovicës s’ka njehsorë

Aleksandri bleu një apartament në një ndërtesë të re në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës pesë vjet më parë, por ai kurrë nuk mori një matës të energjisë elektrike.

“Nuk kishte kush ta instalonte”, i thotë ai BBC-së në serbisht, transmeton Zeri.info.

“Kemi pyetur aty-këtu, por pastaj kemi kuptuar se pothuajse i gjithë qyteti funksionon kështu – gjysma e Mitrovicës nuk ka matës të energjisë elektrike”.

Ashtu si familja e Aleksandrit jetojnë shumica e familjeve në veri të Kosovës. Edhe ata që kanë matës të instaluar në shtëpi dhe marrin faturat mujore të energjisë elektrike masivisht nuk i paguajnë, sepse që nga viti 1999 në këto komuna nuk kishte asnjë institucion që mund të kontrollonte pagesën e energjisë elektrike dhe të sanksiononte mospaguesit.

Megjithatë, kjo praktikë mund të ndryshojë së shpejti.

Në mesin e qershorit 2022, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje, që më në fund do të zbatojë marrëveshjet energjetike që janë gati një dekadë të vjetra dhe që mund t’i bëjnë sërish faturat e energjisë elektrike detyrim mujor në shpenzimet familjare.

“Sipas marrëveshjes, në Kosovë është themeluar kompania ‘Elektrosever’, e cila është në pronësi të Serbisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit të Bashkimit Evropian për BBC-në në gjuhën serbe.

“Kompania do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komuna me shumicë serbe”.

Sfida më e madhe në zbatimin e marrëveshjes do të jetë “regjistrimi i të gjithë përdoruesve, instalimi i njehsorëve të energjisë elektrike dhe krijimi i një sistemi faturimi” pas 23 vjetësh, shpjegon Dragisha Mijaçiq, koordinator i grupit të punës të Konventës Kombëtare të BE-së për Kapitullin 35, që ka të bëjë me negociatat mes dy vendeve.

“Për ne është shumë e rëndësishme se kur do të fillojë faturimi dhe sa do të kushtojë energjia elektrike”, thotë Ivan Vuçkoviq nga Leposaviqi për BBC-në në serbisht.

“Kam miq në Graçanicë, ata marrin faturat nga 50 deri në 100 euro, kështu që pres që të jetë kështu edhe për ne. Është një shumë e rëndë për shumë njerëz këtu, por besoj se shumica do të paguajnë”.

Graçanica është një vend i banuar me shumicë serbe, afër Prishtinës, pjesë kjo e Kosovës që banohet kryesisht me popullatë shqiptare.

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovë dhe Metohi e Qeverisë së Republikës së Serbisë, ndërmarrja publike e Serbisë “Elektroprivreda Srbije” dhe Lista Serbe, partia kryesore politike në veri, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të BBC-së se kush i ka bartur shpenzimet e energjisë elektrike në veri të Kosovës për më shumë se dy dekada dhe kur do të fillojë pagesa e tarifave të energjisë elektrike.

Përgjigjet për të njëjtat pyetje nuk kanë ardhur as nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë dhe Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës, transmeton Zeri.info. Ku kanë shkuar matësit e energjisë elektrike?

Familja e Aleksandrit, thotë ai, nuk i ka kushtuar shumë rëndësi faktit që nuk kanë marrë faturat për energjinë e përdorur.

“Kur jetoja me gruan si qiramarrës, as atëherë nuk paguanim rrymën, megjithëse faturat vinin”, thotë ai.

“Gjatë gjithë kohës e kemi në kokë se do të duhet të fillojmë të paguajmë në një moment, kur i gjithë sistemi të jetë në funksion”. Në katër komuna në veri të Kosovës, shpjegon Milica Andriq Rakiq nga organizata joqeveritare “New Social Initiative”, “rryma kryesisht nuk paguhet sepse njehsorët e rrymës që ekzistojnë – nuk ka kush t’i lexojë”.

“Në Serbi, për shembull, njehsorët e energjisë elektrike kontrollohen dhe servisohen një herë në vit”, tha ajo për BBC në serbisht.

“Shumica e njerëzve udhëhiqeshin nga logjika se, pasi as autoritetet serbe dhe as ato kosovare nuk i kanë servisuar këto pajisje që nga viti 1999, konsumatorët nuk janë të detyruar të paguajnë për energjinë elektrike”.

Për vite me radhë, autoritetet serbe, shton ajo, nuk kanë forca policore që mund t’i autorizojnë për të kontrolluar dhe zbatuar çdo tarifë të detyruar të energjisë elektrike.

“Kjo pra ka bërë që një numër i madh i amvisërive që kanë blerë apartamente në ndërtesat e reja nuk kanë fare as njehsorë të energjisë elektrike”, thotë Andriq Rakiq. Disa njerëz, thotë ajo, “ndienin nevojën dhe detyrimin për të paguar, por shumica jo, sepse nuk kishte njeri që mund ta realizonte kërkesën për shkyçje”.

“E paguajnë ata që u duhet ta paguajnë, që p.sh kanë një kompani si organizata ku punoj unë dhe kanë detyrimin të paguajnë shpenzimet”, shton ajo.

“Vetëm një herë në jetën time kam paguar një faturë” Edhe ata që kanë matës nuk ishin pagues më të rregullt.

Ivan Vuçkoviqi është ndër banorët e Leposaviqit që e kanë paguar faturën e energjisë elektrike vetëm një herë në jetë.

“Faturat erdhën, por askush nuk i trajtoi si diçka që ishte e detyrueshme”, thotë Ivani, transmeton Zeri.info. Megjithatë, ai është i vetëdijshëm, shton ai, se “një ditë do të duhet të fillojnë të paguajnë energjinë elektrike”. Në 23 vjetët e fundit ka pasur përpjekje sporadike nga autoritetet, serbe dhe kosovare, për të mbledhur borxhet për energjinë e përdorur.

“Rreth gjashtë vjet më parë, ata erdhën nga kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe e fikën energjinë elektrike në të gjithë ndërtesën”, shpjegon Ivani.

“Por aty shihej se sa e çmendur ishte situata, sepse ata zotërinjtë na kërkuan të paguanim borxhin aty për aty”.

Njerëzit protestuan, thotë ai, por kur kompania e shpërndarjes tha se nuk do t’i rikyçnin në rrjet derisa të paguante qiramarrësi i fundit, “ata qëndruan në radhë dhe paguanin një nga një”. Në atë kohë, Ivani ishte i fundit që pagoi 40.000 dinarë, që ishte shuma e faturave për disa muaj.

“Askush nuk më ka dhënë as faturën, vetëm e kanë rikyçur rrymën”, shton ai.

“Por Leposaviqi është një vend i vogël, kështu që unë jam udhëhequr nga logjika – e di kujt ia kam dhënë paratë, nesër mund t’ia drejtoj gishtin”. Çfarë do të ndryshojë me marrëveshjen mes dy vendeve

Më 21 qershor 2022, Kosova dhe Serbia miratuan marrëveshjen “Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjeve energjetike” në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Janë krijuar kushtet për licencimin e kompanisë ‘Elektrosever’, e cila do të ofrojë shërbime të furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për përdoruesit në veri të Kosovës”, thotë Dragisha Mijaçiq. Edhe pse të dyja palët nënshkruan Marrëveshjen për Energjinë në vitin 2013, dhe më pas një dokument shtesë në vitin 2015, “rregullatori i energjisë kosovare vetëm tani i ka lëshuar licencën për operim kompanisë ‘Elektrosever’”, shton Mijaçiqi.

“Pas licencimit të kësaj kompanie, qytetarët dhe ekonomia pritet të shlyejnë faturat e energjisë elektrike”, thotë ai.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Komuniteti Evropian i Energjisë që të monitorojë zbatimin e marrëveshjes ndërmjet “Elektrosever”-it dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë (KEDS).

“Kjo hap rrugën për t’i dhënë fund praktikës jotransparente dhe të parregulluar të së kaluarës”, shtoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian në një përgjigje me shkrim për BBC.

“Ne presim që të dyja palët t’u përmbahen hapave të rënë dakord dhe t’i zbatojnë ato në kohën e duhur në mirëbesim”. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, “në Mitrovicë u përshpejtua masivisht legalizimi i banesave në ndërtesat e reja”, thotë Andriq Rakiq.

“Autoritetet janë duke përgatitur terrenin për tarifimin e energjisë elektrike”, thotë ajo.

A do të fillojë të paguajë veriu? Edhe Aleksandri, edhe Ivani thonë se nuk e kanë problem të paguajnë energjinë e përdorur.

“Unë besoj se shpenzimet e mia gjatë dimrit do të jenë deri në disa qindra euro”, thotë Aleksandri.

“Problemi me Mitrovicën është se këtu nuk ka ngrohje lokale, kështu që shumica e njerëzve duhet të përdorin energjinë elektrike për ngrohje”. Aleksandri thotë se nuk mund të kthehen në ngrohje me dru, pelet apo qymyr sikurse banorët e zonave rurale.

“Sigurisht që do të ishte më e dobishme për ne që të mund të ngrohnim apartamentet në një mënyrë tjetër”, thotë ai, transmeton Zeri.info.

Ivani do të paguajë për atë që shpenzon, por thotë se më shumë i shqetëson ana politike e marrëveshjes së nënshkruar nga dy vendet.

“Me vite kemi luftuar që sistemet energjetike në Kosovë të mbesin në pronësi të Serbisë dhe tani ne disi e perceptojmë këtë marrëveshje sikur Beogradi edhe një herë është dorëzuar”, thotë ai.

Dragisha Mijaçiq thotë se fillimi i tarifimit të konsumit të energjisë elektrike në veri të Kosovës “nuk do të kalojë pa rezistencë nga individët, por nuk është realiste të presim probleme të mëdha”.

“Faturat e rrymës sigurisht që do të rëndojnë buxhetin familjar të qytetarëve, por edhe ekonominë në veri të Kosovës”, thotë Mijaçiqi.

“Megjithatë, pagesa e energjisë elektrike është e nevojshme për të mundësuar furnizim të rregullt të përdoruesve”.

“Pavarësisht nga shqetësimet emocionale apo financiare të përdoruesve”, Mijaçiqi shton se “të gjithë janë të vetëdijshëm se në një moment kjo fushë duhej të rregullohej”.

Sa do të kushtojë energjia elektrike?

Në Kosovë ekziston një rregullore me të cilën familjet që konsumojnë më shumë se 800 kilovat energji elektrike në muaj kalojnë në të ashtuquajturën zonë të kuqe, sipas së cilës tarifat e energjisë elektrike, sikurse në Serbi, janë dukshëm më të shtrenjta.

Shumica e konsumatorëve që ngrohen me rrymë do t’i paguajnë faturat me tarifën më të shtrenjtë, ndërsa Aleksandri mendon se faturat do të shkojnë deri në 400 euro gjatë dimrit.

“Këto çmime sigurisht që do të ndikojnë negativisht te njerëzit me xhepa më të vegjël dhe ka shumë të tillë”, mendon ai.

Konsumatorët në pjesët tjera të Kosovës paguajnë çmimin më të ulët në rajon për energjinë e konsumuar, e cila kushton rreth gjashtë euro centë për kilovat.

Në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, energjia elektrike kushton rreth tetë euro cent për kilovat, në Bosnje dhe Hercegovinë rreth nëntë, në Shqipëri rreth 9.3 dhe në Mal të Zi më e shtrenjta – afër dhjetë cent, sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane për Statistikat.

Megjithatë, Andriq-Rakiqi thotë se aktualisht askush nuk e di se çfarë çmimi do të paguajnë konsumatorët në veri të Kosovës, por se “nga Prishtina ekziston frika se këto fatura mund të jenë më të ulëta se në pjesët tjera të Kosovës”.

Kështu, Imer Fejzullahu, kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës, në fund të qershorit 2022 tha se “’Elektrosever’-i nuk ka të drejtë të ofrojë çmime nën tregun, sepse Zyra e Rregullatorit mund ta tërheqë licencën”.

“Në fakt, bëhet fjalë për faktin se Kosova ka frikë se kompania serbe ‘Elektrosever’ do të marrë leje për të blerë energji elektrike nga Serbia dhe se Serbia do të japë një çmim shumë më të favorshëm”, thotë Andriq-Rakiqi.

“Nëse kjo ndodh, EPS-ja serbe praktikisht pjesërisht do të financojë faturat e ulëta të njerëzve në veri të Kosovës”.

Fejzullahu ka thënë se “sipas ligjeve në Kosovë, shitja e energjisë elektrike me çmim më të ulët se çmimi i tregut mund të ndiqet penalisht”.

Kush i ka bartur kostot e faturave të papaguara deri më tani?

Në bazë të informatave në dispozicion, nuk është e mundur të kemi përgjigje të saktë në pyetjen se kush i mbulon faturat e papaguara të familjeve në veri të Kosovës për 23 vjetët e fundit.

As institucionet serbe dhe as ato të Kosovës nuk kanë deklaruar qartë për këtë dhe as nuk janë përgjigjur në pyetjet e BBC-së për këtë.

“Në opinion qarkullojnë informacione të ndryshme për pagesën e konsumit të energjisë elektrike në veri të Kosovës, ka shumë vlerësime paushall dhe të dhëna të pasakta”, shpjegon Dragisha Mijaçiq, transmeton Zeri.info.

Dihet pothuajse me siguri, shton ai, se meqenëse rrjeti energjetik i Kosovës është privatizuar dhe i është shitur kompanisë turke më 20 dhjetor 2020, “kjo kompani furnizon me energji elektrike përdoruesit në veri të Kosovës dhe i lëshon faturat për Qeverinë e Kosovës”.

Vetëm në vitin 2016, vlera e energjisë elektrike të pafaturuar në katër komuna në veri ka qenë rreth tetë milionë euro, thuhet në raportin e Organit Rregullator të Energjisë Elektrike të Kosovës.

Zëdhënësja e Organit Rregullativ të Energjisë Elektrike të Kosovës tha atëherë se ky institucion “ishte i obliguar që shpenzimet për mbulimin e humbjes në veri t’ua shpërndajë të gjithë konsumatorëve të tjerë” në Kosovë dhe mendohet se për këtë arsye faturat e konsumatorëve ishin tre për qind më të larta.

Mirëpo, në vitin 2017, pas reagimit të Avokatit të Popullit në Kosovë, u mor një vendim gjyqësor që e shpalli të paligjshëm detyrimin e konsumatorëve në pjesët e tjera të Kosovës për të mbuluar deficitet e shkaktuara nga mospagesa e faturave në veri të Kosovës.

Informacioni se kush financoi kostot e kilovatëve të papaguar para dhjetorit 2020 është kontradiktore.

“Besohet se Serbia financoi të paktën një pjesë të energjisë elektrike, sepse kompania serbe e rrjetit energjetik kishte kontroll mbi një pjesë të territorit”, thotë Andriq-Rakiqi.

Operatori Kosovar i Transmetimit dhe Sistemit të Energjisë Elektrike pretendon se deri në vitin 2017 shpenzimet e veriut i paguanin konsumatorët në pjesët tjera të Kosovës, ndërsa që nga viti 2017 është Qeveria e Kosovës ajo që i shlyen këto borxhe.

Parajsa e minierave

Duke qenë se rryma nuk paguhej me dekada në veri të Kosovës, lulëzuan bizneset që kërkonin konsum të madh të energjisë elektrike, shton Andriq-Rakiqi. Minierat e kriptomonedhave si bitcoin nënkupton lidhjen e kompjuterëve – zakonisht makineritë e specializuara të minierave – me një rrjet monedhe në internet.

Duke siguruar fuqinë kompjuterike për të verifikuar transaksionet në atë rrjet, pronarët e makinerive mihëse shpërblehen me monedhë të re, duke e bërë të gjithë procesin potencialisht fitimprurës. Megjithatë, kjo kërkon shumë fuqi kompjuterike, e cila përdor sasi të mëdha të energjisë elektrike.

Sipas një analize të mëparshme nga Universiteti i Kembrixhit, mihja e bitcoinit përdor më shumë energji elektrike në botë çdo vit sesa e gjithë Argjentina.

“Mihja e kriptomonedhave në Kosovë po lulëzon në mënyrë multietnike”, shton analistja, transmeton Zeri.info.

“Shumë banesa të marra me qira në veri të Kosovës mbusheshin tërësisht me këto makineri”.

Në fillim të vitit 2022, autoritetet e Kosovës ndaluan mihjen e kriptomonedhave dhe në një operacion të madh policor u sekuestruan 429 makina, ndërsa deri në mars policia kishte zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 600 makina.

“Nuk kam minuar asnjëherë, megjithëse kam parë që njerëzit fitojnë para të mira prej saj”, thotë Aleksandri.

“Por është një gjë të mos paguash energjinë elektrike dhe tjetër është të shkelësh ligjin dhe të përfitosh nga kjo situatë”. /BBC/Zëri

(Visited 19 times, 1 visits today)