BE kërkon urgjent zbardhjen dhe konfiskimin e pasurisë së politikanëve shqiptarë, skenari

Me afrimin e ngritjes së SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës Kushtetuese, është shtuar dhe presioni i partnerëve tanë ndërkombëtarë për bllokimin dhe konfiskimin e parave të krimit dhe korrupsionit.Pas prokurorit të antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho, i cili disa ditë më parë në takim me organet ligjzbatuese shqiptare, kërkoi me insistim gjurmimin, zbulimin si dhe konfiskimin e pasurisë së “peshqve të mëdhenj”, tani ka reguar shefi i antikorrupsionit në Këshillin e Europës.

Giancarlo Esposito, shefi i “GRECO”, organizmi i Këshillit të Evropës kundër korrupsionit ka deklaruar se lufta ndaj korrupsionit do të nisë atëherë kur të gjithë njerëzit më të rëndësishëm të politikës të bëjnë transparente pasuritë e tyre.

“Aspekti parandalues është ai që përmes një sistemi të cilin GRECO e quan, për Shqipërinë dhe vende të tjera, Deklarim i Aseteve, dhe është i rëndësishëm për ata që mbajnë poste publike, qofshin anëtarë të parlamentit, prokurorë apo gjykatës, apo edhe anëtarë qeverie, kryeministra, ministra e te tjera për t`u siguruar që asetet të bëhen publike.

Kjo s’bëhet thjesht për kuriozitet, për të mësuar sa makina apo shtëpi ka njëri ose tjetri. Është një mjet, një armë shumë e fuqishme parandalimi që ndihmon të menaxhohet konfliki i interesit, dhe siguron që transparenca ti përputhet me përgjegjësinë. Këtu s`ka asgjë të gabuar dhe asgjë të paligjshme. Atëherë kur ka të dhëna se pasuritë janë vënë përmes aktivitetit kriminal, atëherë hyjmë në fazën e veprimit”, thotë Esposito.

Pra organizmat e Bashkimit Europian janë më se të ndjeshëm ndaj pasurive marramendëse të politikanëve dhe politikës shqiptare, të cilët me pasurinë që kanë kanë nisur lobime me paratë e vjedhura, edhe për të bllokuar apo ndryshuar ambasadorët e vendeve të fuqishme që të vijnë në Shqipëri. Siç ndodhi dhe me të nominuarën ambasadoren e SHBA në Tiranë, Kovalec.

Kreu i këtij organizmi europian kundër korrupsionit zgjidhjen për të luftuar korrupsionin dhe konfiskuar paratë e grumbulluar nga krimi e të investuara në pasuri të paluajtshme në Shqipëri e sheh tek drejtësia e re që po ngrihet.

Giancarlo Esposito, shefi i “GRECO” fshikullon fort të gjithë ata politikanë dhe zyrtarë të lartë të shtetit, që për qëllimet e tyre personale kanë bllokuar deri më tani ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, duke filluar me SPAK, e vijuar me BKH, Gjykatën Kushtetuese e Gjykatën e Lartë.

“Është e rëndësishme të sigurohemi që të gjithë institucionit dhe organizmat që janë krijuar ta kryejnë me efikasitet punën e tyre. Ata prodhojnë rezultatet, ata bëjnë drejtësinë, në praktikë do të thotë të sigurohesh që hetimet të kryhen siç duhet, që asetet të kapen e eventualisht të sekuestrohen, dhe kush gjendet fajtor, të nxirret para drejtësisë.

Atëherë matet reforma në drejtësi, nëse është e suksesshme apo jo; matja nuk është ngritja e një organizmi apo krijimi i një institucioni të ri; matësi i reformës në drejtësi është rezultati faktik që apo prodhon”, deklaron shefi i GRECO, i cili kërkon përshpejtimin e ngritjes së SPAK e BKH.

Involvimi i organeve ligjzbatuese të Europës në luftën kundër korrupsionit dhe dërgimit para drejtësisë te “peshqve të mëdhenj” të politikës shqiptare, është një lajm i mirë për shqiptarët. Njëherësh është dhe një lajm shumë i keq për maskarenjtë e politikës, duke filluar që nga Meta, e vijuar me Berishën, Bashën, Monikën dhe përfunduar me Ramën e miqtë e tij në pushtet./Pamfleti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *