Bëhet viral imazhi ku Erdogan shihet i rrethuar nga liderët e shteteve lindore

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar bisedime me liderët e tjerë të pranishëm në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), që po mbahet në qytetin Samarkand të Uzbekistanit.

Imazhi i të parit të shtetit turk teksa takohet në Samarkand me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, homologun e Iranit, Ebrahim Raisi, presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, presidentin e Taxhikistanit, Emomali Rahmon, presidentin e Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, si dhe me liderë të tjerë është bërë viral në rrjetet sociale.

Gjithashtu po kritikohet prezenca e liderit të një shteti anëtar i NATO-s, në një takim ku liderët e këtyre vendeve po konsiderohen autoritar.

Më herët, ai vizitoi zonat e sapondërtuara të qytetit Samarkand së bashku me pjesëmarrësit e tjerë të samitit.

Gjatë ditës së sotme, presidenti turk do të marrë pjesë në takimin e 22-të të Këshillit të krerëve të vendeve të SCO-së si i ftuar special, ku Turqia do të marrë pjesë në nivel presidencial për herë të parë që kur Ankara mori statusin e partnerit të dialogut të SCO-së në vitin 2012.

E themeluar në vitin 2001, organizata 8-anëtarëshe synon të forcojë marrëdhëniet miqësore dhe të fqinjësisë së mirë, si dhe besimin e ndërsjellë midis vendeve anëtare.

Erdogan pritet të adresohet në seancën e dytë të samitit, si dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me liderë, përfshirë presidentin Putin dhe homologun e tij kinez, Xi Jinping.

Marrëveshja historike e eksportit të grurit, e nënshkruar në muajin korrik nga Kombet e Bashkuara (OKB), Turqisë, Rusia dhe Ukraina, po ashtu do të diskutohet gjatë bisedimeve mes presidentit turk dhe atij rus.

Erdogan ka deklaruar se Turqisë dëshiron që të rifillojnë edhe dërgesat e grurit nga Rusia ashtu si eksportet e Ukrainës sipas marrëveshjes. /Telegrafi/

(Visited 83 times, 1 visits today)