Bislimi ia qet ‘sekretet’ BE-së: Kjo është arsyeja pse nuk duan vetting të plotë

Bashkimi Europian brengoset se sistemi gjyqësor në Kosovë do të bllokohej nga një proces i plotë i vettingut. Këtë e tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, për të argumentuar se pse Komisioni i Venecias radhiti shumë vërejtje në opinionin për vettingun në drejtësi.

Bislimi tha para deputetëve në Komisionin për Integrime Europiane se opinioni i Komisionit të Venecias “lidhet me krejt diçka tjetër”, duke ‘zbuluar’ diçka, që askush më herët s’e kishte thënë as si supozim, raporton Gazeta Express.

“Nuk po dua të hyj këtu në debat sepse edhe tema për vettingun dhe Komisionin e Venedikut lidhet me krejt diçka tjetër. Lidhet me bindjet e Bashkimit Europian që në gjyqësi ka aq shumë korrupsion sa që nëse hyhet në vetting të plotë, bllokohet gjyqësia”, tha ai.
Sipas zëvendëskryeministrit, në BE kanë kalkuluar se me kontrollin e pasurisë së pajustifikueshme, “këta (gjyqtarët) bijnë menjëherë”.

“Do të thotë nuk lidhet me ndonjë sukses ose shkelje, por është me faktin se është ndërtu për 20 vjet nga këto qeveri një sistem gjyqësor i tejkorruptuar – kjo është brenga – dhe shpresa e tyre apo bindja që qaq shumë janë të korruptuar sa që me shumë pak intervenime, këta filtrohen. Si t’ia nisësh me pasurinë, këta bijnë menjëherë. E qaty është problemi”, tha Bislimi.

Komisioni i Venecias ka pasur shumë vërejtje për procesin e vettingut. Në shkurt të këtij viti, projektligji u dërgua për miratim në Kuvendin e Kosovës dhe me iniciativë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ai iu dërgua Komisionit të Venecias për vlerësim.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftonin në qershor se e kishin marrë vlerësimin e Komisionit të Venecias për vettingun dhe për projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Thanë se e kishin marrë dritën e gjelbër për këtë hap.

Pak ditë më pas, Komisioni i Venecias publikoi opinionin që ia kishte dërguar Qeverisë. Kurti dhe Haxhiu s’i kishin përmendur fare vërejtjet, e që ishin shumë.

(Visited 65 times, 1 visits today)