“Çmimet janë rritur me 50%”, pushuesit braktisin edhe plazhin e Shëngjinit

Në plazhin e Shëngjinit një pjesë e çadrave kanë mbetur të mbyllura, për shkak të pakësimit të numrit të pushuesve në krahasim kjo me vitin e kaluar, ndonëse jemi në mesin e muajit korrik.
Për shkak të krizës së çmimeve, qytetarët thonë se kanë pakësuar ditët e qëndrimit në plazh.

“Këtë vit vetëm pesë ditë, më përpara kemi ndenj dy javë, tani vetëm 5. Nga Komuna e Gjilanit vijmë. Janë rritur çmimet më shumë se 50%”, u shpreh një qytetar.

“Sivjet erdhëm, vitin tjetër do shkojmë në ndonjë vend tjetër. 10 mijë lekë për çadër, atje lart 15 mijë lek për njeri, këtu në Dubai jemi?

Vitin tjetër do shkoj në Greqi janë më lirë se këtu. Këtu vetëm kosovarët dhe ata që rrinë jashtë vendit vijnë”, tha një tjetër.

Edhe tregtarët pranë plazheve thonë se ka një rënie të punës për shkak të pushuesve më të paktë.

“Bosh komplet, u bënë 15 ditë. E shtuna e diela ka pasur diçka, po jo si vjet. Sivjet janë habitur shumë me rritjen e çmimeve”, tha një tregtar.

Barometri i Ballkanit për vitin 2022 tregoi se 60% e shqiptarëve nuk mund të përballojnë shpenzimet për një javë pushime në vit. Kjo ishte dhe përqindja më e lartë në rajon.

(Visited 63 times, 1 visits today)