Ekskluzive: Ky është ndërmjetsuesi i 70 mijë eurove i arrestuar për aferën Brezovica

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka arrestuar sot të dyshuarin me incialet R.M, në pikën kufitare të Vermicës, për rastin ‘Brezovica’.

Gazeta Insajderi ka mësuar brenda burimeve të sigurta të policisë se i arrestuari është Refki Mecini.

Sipas Prokurorisë, Mecini dyshohet se ka kryer veprën penale “ Marrja e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”, shkruan Insajderi.

Ai dyshohet se ka marrë ryshfet rreth 70.000 mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës.

Mecini se së bashku me Zijadin Gecin dhe Arbër Zeni dyshohet se kanë ndihmuar zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të marrë para ryshfet për të lëshuar më pas pëlqime mjedisore në vikend zonën e Brezovicës.

“I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr reth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës. Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot, është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë”, thuhet në njoftimin e PTHF.

Zijadin Geci e Arbër Xani janë dy nga tetë të arrestuarit në rastin “Brezovica 3″, që u zhvillua më 3 marsin e këtij viti, në vazhdën e aksionit të Prokurorisë Themelore të Ferizajt për rastin e njohur “Brezovica”.

Sipas dosjes se prokurorisë, Geci e Xani si persona zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëkryerje dyshohet se kanë ndihmuar ish- Sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitakun për të marrë para ryshfet për të lëshuar më pas pëlqime mjedisore dhe uojre në Parkun Kombëtar “Sharri” në zonën e Brezovicës

Dosja flet për 80 mijë euro të cilat dyshohet se i kanë marrë ryshfet Geci, Xani e Çitaku nga disa kompani.

70 mijë euro sipas dosjes hetimore të Prokurorisë dyshohet se janë marrë nga tre të lartëpërmendurit nga të pandehurit Gentjan Sula, Rijad Hasani dhe Blerim Imeri, ndërsa 10 mijë euro nga Sabit Geci, të cilat ia kanë dhënë të pandehurit Arben Çitaku me qëllim që të lëshoj pëlqimin ujor për ndërtimin e urës mbi lumin “Murzhica” e cila lidh kompleksin e vikend-shtëpizave të “Stella Consulting” me rrugën publike , pëlqimin ujor për ndërtimin e urës mbi lumin “Murzhica” e cila lidh kompleksin e vikend-shtëpizave të Lagjes “D” me pronar Rijad Hasani dhe Lagjen “B” me pronar Blerim Imeri me rrugën publike, si dhe pëlqimin mjedisor për kompleksin e vikend-shtëpizave të “Stella Consulting” me pronar Gentjan Sula dhe pëlqimin mjedisor për kompleksin vikend –shtëpize të Lagjes “D” me pronar Rijad Hasani, pëlqimin mjedisor për objektin hotelier “Kaona Hotel” me pronar Sanije Geci.

Policia edhe në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022 kishin kontrolluar dhe bastisur shtëpinë e Refki Mecinit por i njëjti nuk ishte gjetur aty.

(Visited 59 times, 1 visits today)