Gashi: Në vjeshtën e vonshme pritet të rrëzohet Qeveria Kurti 2

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2, pasi sipas tij si shenjë e pakënaqësisë, tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK

“Në vjeshten e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2”, kështu ka deklaruar Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, duke thënë se koha e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një qeverisje komode ka skaduar.

Në emisionin “Debat Plus”, Gashi ka thënë se në këtë kohë do të ketë ngritje të opozitarizmit dhe pritet që të ketë rënie të Qeverisë, sepse siç është shprehur ai ka lëvizje brenda Koalicionit dhe pakënaqësi në mes deputetëve të VV-së.
“Ka indikacione, ka lëvizje dhe interesime, janë tetë deputetë që kanë shprehur interesim për të ardhur në koalicion”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se Qeveria Kurti i ka bërë 2 vjet në qeverisje, sipas tij, ka pasur mjaft kohë që të krijojë fondin e qeverisë, sido që të jetë pozitiv apo negativ.

“Ideja e LDK-së ka qenë që të shikohet stabiliteti i Qeverisë Kurti 2, deri në zgjedhjet lokale ka qenë ideja që të vështrohet, në mënyrë që të rikthemi dhe të stabilizohemi”, ka deklaruar Gashi.

“Ne jemi munduar të jemi pro aktiv dhe propozues, por asnjë nuk e ka marrë Qeveria e Kosovës, 58 propozime i kemi bërë në formë dokumentesh dhe rezolutash”, ka vijuar ai.

Strategjia e LDK-së, sipas Gashit ka qenë që të fokusohet në zgjedhje lokale pas vështrimit të kësaj qeverisjeje e jo të vazhdojë si parti precedente e bllokimit.

(Visited 49 times, 1 visits today)