Gjithçka gati! Ja kur arrihet marrëveshja LDK-VV

Ende nuk ka datë për takimin në mes të liderëve të Vetëvendosjes e LDK-së. Partia e Albin Kurtit ka thënë për Gazetën Express se një takim i tillë pritet të ndodhë këto ditë, por që ende nuk është caktuar ndonjë datë.

Javën që shkoi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje i përfunduan takimet në nivel të grupeve punuese, ku u dakorduan për programin qeverisës.

Të dy partitë u deklaruan para mediave se kishin arritur pajtim në disa fusha të caktuara, mirëpo, një pjesë e diskutimit do të mbeste që të bisedohej në nivel të liderëve.

Tema të tilla si dialogu Kosovë – Serbi, disa çështje të ekonomisë e ajo e ndarjes së posteve do të merren vesh kur të shihen Isa Mustafa, i pari i LDK-së, së bashku me Albin Kurtin, liderin e Vetëvendosjes.

Mirëpo, një datë për takim të tillë ende nuk është vendosur. Kështu ka deklaruar sekretariati për media i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pas përfundimit të diskutimeve të grupeve punuese radha e diskutimeve ka kaluar në nivel të kryetarëve të partive. Këto ditë pritet të takohen kryetarët por ende nuk kemi ndonjë ditë të caktuar”, thuhet në përgjigjen e VV-së.

Tashmë, kur ka disa ditë që me shpallje të rezultateve u konfirmua partia e parë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, dy partitë kanë thënë se janë duke pritur certifikimin e zgjedhjeve, që të përmbyllin marrëveshjen e koalicionit.

Pas shpalljes së rezultateve javën e kaluar, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, mblodhi kryesinë nga ku pas takimit në një paraqitje para mediave nuk e mohoi pozitën e presidentit si pjesë të pazarit për koalicionin e ardhshëm që mund të krijojë qeverinë.

Vetëvendosja ka dalë si parti e parë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, e pasuar pastaj nga LDK-ja e Isa Mustafës.