Hajdar Beqa i PDK-së kritikon Kurtin për dialogun me Serbinë: Fokusi duhet të jetë marrëveshja e madhe

Partitë opozitare në Kosovë kritikojnë kryeministrin Albin Kurti se po vepron në kundërshtim me agjendën që duhet të ketë Kosova në dialogun me Serbinë.

Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Kurtit që të fokusohet tek arritja e marrëveshjes finale me Serbinë dhe të lë anash dialogun teknik.

Dështimin e takimit të nivelit të lartë në Bruksël, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa e sheh si stërzgjatje të dialogut.

Ai thotë për KosovaPress se Kosova po vazhdon të humbet kohë në dialog dhe se kjo i leverdis vetëm Serbisë.

“Kryeministri Kurti duhet të merret me dialogun për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, ku përfshihen edhe marrëveshje të tjera. Për momentin e shoh që po humb kohë me dialog teknik dhe është në kundërshtim me agjendën që duhet të ketë Kosova. Nuk po e shoh se ka ndonjë format apo agjendë për dialogun, por mendoj se është e rëndësishme që Kosova të mbyllë çështjen me Serbinë dhe të kemi një njohje reciproke mes dy shteteve. Fokusi i qeverisë mendoj se duhet të jetë te marrëveshja e madhe, por jo të merret me marrëveshje teknike të cilat kanë qenë edhe më herët”, thotë ai.

(Visited 23 times, 1 visits today)