Haxhiu: Nëse nuk pranohet marrëveshja në pranverë, mund të bie qeveria

Gazetari dhe analisti Baton Haxhiu ka thënë se dokumenti kornizë i rrugës për dialogun, është publikuar në mediumin e tij, ngase, sipas tij, hartuesit e tij kanë dashur të vënë në dukje që palët negociuese, Kosova dhe Serbia, janë ato që po e vonojnë procesin.

Ai ka thënë se sipas dokumentit parashihet që në Pranverë të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sipas Haxhiut, nëse kjo gjë nuk ndodh, si masë sanksionuese është edhe rënia e qeverisë.

“Mund të rrëzohet edhe qeveria nëse nuk pranohet kjo marrëveshja. Është e vrazhdë fjalia, por është një draft për ata të cilët nuk e pranojnë marrëveshje. Në Pranverë të vitit të ardhshëm marrëveshja duhet të kryhet”, ka theksuar ai në Pressing të T7.

Për dokumentin e publikuar në “Albanian Post”, Haxhiu ka thënë se ai është hartuar në fund të muajit prill dhe i është dhënë për ta parë të dyja palëve në tavolinë.

“Drafti është punuar në fund të prillit dhe në fund të majit dhe i është dhënë për ta shikuar dy palëve. Kush e ka punuar unë nuk e di, por drafti i ekspertëve tregon se si të arrihet te marrëveshja, këtu s’ka marrëveshje edhe pse ju po e quani, por është rruga se si negociojnë Kosova dhe Serbia, konkretisht z. Kurti dhe z. Vuçiq”, ka thënë ai.

Sipas Haxhiut, Kosova dhe Serbia e kanë ndërtuar ndryshe rrëfimin për dokumentin dhe ka treguar arsyen pse është botuar.

“Edhe Kosova edhe Serbia e kanë ndërtuar ndryshe rrëfimin për dokumentin, nga ai që është paraparë. Pse ka ardhur dokumenti që të botohet? Sepse palët, sidomos z. Kurti ka qenë i dedikuar për të mikro-menaxhuar, me tabela, letërnjoftime, që e vonojnë procesin. Publikimi i dokumentit është që të komunikohet me publik, që palët janë fajtore pse e vonojnë procesin. Procesi ka ngecur për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.

(Visited 17 times, 1 visits today)