Krasniqi: Kurti e Osmani do t’i jepnin nga 10 vite jetë për 10 ditë të Thaçit e Veselit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti janë shpirtngushtë dhe vuajnë nga kompleksi i vogëlsisë përballë liderëve që kanë dhënë kontribut në UÇK.

Ai, duke folur për reagimin e Osmanit lidhur me rezolutën e nisur nga Kuvendi i Shqipërisë për kundërshtimin e Raportit të Dick Martyt, ka thënë se presidentja duhet të turpërohet.

Sipas Krasniqit, Kurti e Osmani do të jepnin 10 vite nga jeta e tyre për 10 ditë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

“Shiqoni, si Albin Kurti si Vjosa Osmani, 10 vjet jete i kishin dhënë me i pasë 10 ditë si të Hashim Thaçit, të Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Zero ditë të UÇK-së i ka Albin Kurtin”, ka thënë ai në emisionin Pressing.

“Janë shpirtngushtë dhe duhet të turpërohen, s’duhet tu vijë marre, por duhet t’i duartrokasin gjërave të mira. Vjosa Osmani turp duhet t’i vijë. Njerëz të vegjël janë, njerëz të vegjël duhet me qenë mos me mirëpritur”, ka vazhduar ai.

Krasniqi ka thënë se është dëshmuar edhe me videot e publikuara së fundmi, se Presidentja Osmani ishte një prej politikaneve të zjarrta për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Ajo është një prej njerëzve më të zjarrtë për gjykatën Speciale. Duhet me u turpëru që s’e ka kurajon ta përshëndes rezolutën, as kur ishte bashkë me presidentin e Shqipërisë”, ka thënë Krasniqi.

(Visited 27 times, 1 visits today)