Liberalizimi i vizave për Kosovën, Vuçiq nga Brukseli: S’po më bën telefoni, nesër flas…

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili bashkë me liderët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, kanë udhëtuar në Bruksel, deklaroi se për arsye teknike sonte nuk mund të flasë ‘live’, siç edhe njoftoi më herët.

“Ju kërkoj falje të gjithëve, besoni apo jo, për herë të parë nuk më funksionon telefoni, nuk më funksionon mikrofoni, kështu që nesër do të flas për tema të nxehta për qytetarët e Serbisë. Na pret një ditë e vështirë dhe e vetmja gjë që i premtoj popullit të Serbisë është se do të luftojmë për vendin tonë. Dorëzimi nuk është opsion!”, tha Vuçiq, raporton Danas.

Vuçiq më herët u tha qytetarëve të Serbisë se është në rrugëtim dhe se do të raportojë drejtpërdrejt sonte nëse ka kushte teknike.

Edi Rama, Dimitar Kovaçevski dhe Aleksandar Vuçiq udhëtuan të mërkurën drejt Brukselit për të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Një deklaratë e presidentit serb vjen pasi disa diplomatë të vendeve të Bashkimit Evropian vazhdojnë të thonë se vendet e tyre po bëjnë përpjekje që nga Samiti i BE-së, që do të zhvillohet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, të shprehet mbështetje e qartë politike për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kjo do të shërbente pastaj si një pikënisje për procedurën, e cila do të inicohet në grupet punuese të Këshillit, ku edhe do të merreshin vendimet.

Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave. Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti.

Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian ka mbështetur dhe ka dhënë pëlqimin e vet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Mbështetjen e Parlamentit Evropian e ka përsëritur të mërkurën edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas takimit që ka pasur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Metsola ka shkruar në Twitter se “liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa vonesa”.

Por, çështja gjithmonë ka mbetur e bllokuar në Këshillin e BE-së.

Tash, pasi çështja është ngritur në nivelin më të lartë politik dhe liberalizimin e vizave e kanë mbështetur disa liderë të vendeve anëtare edhe publikisht, janë rritur gjasat që të nisë pocedura.

(Visited 145 times, 1 visits today)