Lladrovci poston një fotografi me Kurtin dhe tregon pse kryeministri po e përmend luftën

Sipas kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovcit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po e përdor retorikën  e luftës për ta “mjegulluar grevën”.

Lladrovci këtë e ka thënë të dielën përmes një postimi në Facebook, teksa e ka postuar edhe një fotografi bashkë me Kurtin.

“Retorika e luftës, Kryeministër, përcillet me rreziqet që bart fillimi i psikozës së luftës, por te një pjesë shfaqet edhe me panik. Kujt i duhet paniku”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Ai i ka komentuar specifikisht deklaratat e Kurtit nëpër mediat ndërkombëtare në lidhje për një luftë potenciale me Serbinë.

“Informacionet, nëse i disponon një kryeministër dhe shpalos nëpër media ndërkombëtare, janë të lidhura me detyrën, me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të kryeministrit. Por, publikimi i informacioneve të klasifikuara, përbëjnë vepër penale”, ka thënë ai.

Lladrovci po ashtu ka përmendur disa nga problemet me të cilat po përballen qytetarët.

“Energjia, greva e mësimdhënësve, çmimet dhe inflacioni, papunësia, ikja e të rinjve nga shteti, mungesa e investimeve dhe projekteve kapitale, mungesa e perspektivës, investitorëve dhe investimeve strategjike, janë prioritete”>

Ai ka vazhduar duke thënë se  Kosova e ka fituar luftën dhe ka ardhur çlirimi

“Kryeministër, lufta ka përfunduar me fitoren tonë, jemi çliruar, kemi institucione shtetërore të sigurisë, të drejtësisë, këtë e kanë arritur gratë dhe burrat para jush. Të gjitha i kemi arritur në bashkëpunim me aleatët tanë. Këto i kemi arritur me përkushtim, me sakrificë dhe shumë mund”.

“Gjetja e zgjidhjes për grevën e mësimdhënësve është prioritet. Nesër nxënësit duhet ta fillojnë mësimin, është java e tretë që presin këtë ditë. Ky prioritet nuk do mjegulluar me retorikë për luftë”, mbaron postimi i Lladrovcit në Facebook. /Express

 

(Visited 138 times, 1 visits today)