MPB rikujton: Pas 30 shtatorit s’ka më targa “PR”, “KM”, “PZ” në Kosovë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se nga data 1 gusht deri më 30 shtator 2022, do të fillojë organizimi i procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato RKS, në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve.

Sipas MPB-së, brenda këtij afati, qytetarët do të kenë mundësinë që të jenë përfitues të shumë lehtësirave për kthimin e mjeteve të tyre në targa RKS.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë, që do të ndihmojë në vendosjen e ligjshmërisë dhe sundimin e ligjit, gjë që qytetarët e shtetit tonë e dëshirojnë pa dallim. Për çdo informacion shtesë ju lutem të na kontaktoni përmes: zip-mpb@rks-gov.net”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës më 29 qershor të këtij viti ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Sipas komunikatës me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS.

(Visited 65 times, 1 visits today)