Në prill nuk e shpëtoi nga shkarkimi, tash Kurti ia jep një post Ardita Sinanit

Në prill të këtij viti, në Preshevë kishin nisur procedura për shkarkimin e kryetares së atëhershme, Ardita Sinani. Kërkesë që ajo të mos shkarkohet kishte bërë edhe kryeministri Kurti. Por pasi nuk arriti ta ‘shpëtojë’ Sinanin nga shkarkimi, Kurti e ka emëruar atë si Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Lajmin për emërimin e saj e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit për Komunikim Publik.

Në njoftim thuhet se “ky është hapi i parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, zyrë të cilën do ta koordinoj znj.Sinani”

“Kjo zyrë do të jetë në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna, ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, si nevojë dhe domosdoshmëri e kohës”, thuhet në njoftim.​

Ardita Sinani njihet edhe si rivale e kryetarit aktual të Preshevës, Shqiprim Arifi i cili e akuzoi Qeverinë Kurti se po ndërhyn në “proceset demokratike në komunën e Preshevës”.

Pas acarimit të raporteve me Kurtin, Arifi zhvilloi takime me anëtarë të partive opozitare në Kosovë. Ai para se të vinte në Kosovë është pritur në takim edhe nga kreu i Tiranës, Erion Veliaj.

Kujtojmë që më 5 shtator, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e vizituan Luginën, por ata nuk shkuan në Komunën e Preshevës. Sipas Shqiprim Arifit ky anashkalim i qëllimshëm ka një histori më të gjatë.

(Visited 9 times, 1 visits today)