Reagon kryetari i PDK’së, i kërkon Kurtit koordinim me ndërkombëtarët, ka edhe një kritikë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se barrikadat dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit po bëhen nga strukturat kriminale të orkestruara nga Beogradi.

Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë.

“Vendosja e barrikadave dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme. Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë. Në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajoj institucionet tona të sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, ai u ka bërë thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që të monitorojnë situatën e krijuar në veri.

“Këto veprime duhet të koordinohen edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët i ftoj që t’i monitorojnë dhe denoncojnë provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar”, ka thënë Kryetari i PDK-së.

(Visited 38 times, 1 visits today)