Zyrtari i VV-së: Ushtria kineze po çon armë në Beograd, ja si Serbia “bleu” fotografinë e Gjuriqit me Bidenin

Arbër Zaimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se Serbia po armatoset intensivisht nga Kina qe dy ditë.

Ai ka thënë se Serbia me votën e saj në OKB për rezolutën që dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë, bleu fotografinë e e ambasadorit serb Marko Gjuriq me presidentin amerikan Joe Biden.

Zyrtari i VV-së, në një postim në Facebook, nuk ka lënë pa kritikuar kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke thënë se Shqipëria do të mund të neutralizonte politikën e Serbisë në OKB, por sipas tij, ajo “votën e saj e jep falas”.

Reagimi i Zaimit në Facebook:

Gjashtë aeroplanë të mëdhenj Y-20A nga ushtria kineze çonin armë dje në Beograd. Gjashtë të tjerë po shkojnë edhe sot. Bëhet fjalë për sisteme raketore tokë-ajër FK-3/HQ-22 që Kina po i dërgon në Serbi. Serbia është vendi i parë në kontinentin evropian që importon sisteme armatimi kineze.

Në javët e fundit në Kinë te revistat e doktrinës ushtarake shumë strategë e studiues kanë ngritur shqetësimin se teksa armatimi kinez është modern, ai është i pa-testuar në luftë reale, siç po testohen vazhdimisht armatimet amerikane, turke etj. Ndërsa sot ministri serb i punëve të jashtme, Nikolla Selakoviq foli në telefon me ministrin kinez Uang Ji, ku e garantoi për “miqësi të çeliktë” mes Serbisë dhe Kinës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dje deklaroi se edhe dronët “Bajraktar” ua ka premtuar Turqia.

Ndërkohë me një votë në OKB, ku edhe ashtu shumica ishte e ditur paraprakisht se si do të votonte, pra me një votë të panevojshme, Serbia “bleu” fotografinë e ambasadorit të saj me Bidenin. Ndërsa lavdërimet e Ramës në Twitter i mori falas, si bonus i padëshiruar në supermarket.

Pse po armatoset kaq intensivisht Serbia? Do të na shpjegojë dot ndonjë gjë folk-realisti dhe turbo-postmodernisti Ed Rama në Twitter a në Fb?

Shqipëria është në KS të OKB dhe do të mund ta neutralizonte politikën e Serbisë atje, po të donte. Është për të ardhur keq që Serbia një votë të panevojshme në Asamble e shet kaq shtrenjtë, ndërsa Shqipëria votën dhe prezencën e saj aq të rëndësishme në Këshill të Sigurimit e shet fare lirë, në mos po e jep falas.

(Visited 558 times, 1 visits today)