Zyrtarja e BE-së: Peticionin për heqjen e vizave do t’ia dorëzoj Macronit, janë mbledhur 12 mijë nënshkrime

Kati Schneeberger, këshilltare lokale e Bashkimit Evropian, ditë më parë e ka nisur një peticion për liberalizimin e vizave për kosovarët. Ajo thotë se deri më tani janë mbledhur mbi 12 mijë nënshkrime.

“Javën e kaluar kam vizituar Kosovën për herë të parë, për të takuar qytetarë, OJQ-në Emisarë të Vjenës, kryetare e së cilës jam, dhe për të gjetur partnerë që të angazhohemi për integrimin në BE të atyre vendeve që duan këtë. Misioni ynë është që një ditë të gjitha vendet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, për të ruajtur paqen dhe demokracinë në BE”, tha Kati Schneeberger në emisionin “Info Plus”, në RTK.

Sot, thotë ajo, po shihet se është shumë i rëndësishme integrimi në BE. Ajo tregon se ishte në Kosovë dhe ka takuar shumë miq dhe që të gjithë e kanë pyetur për liberalizimin e vizave dhe lirinë e lëvizjes.

“Unë e kuptoj dhimbjen e njerëzve në Kosovë dhe për këtë kam filluar këtë fushatë për liberalizimin e vizave për ta. Kushdo qoftë në botë mund ta nënshkruaj këtë peticion, pra edhe qytetarët e Kosovës. Kushdo që na mbështetë duhet ta nënshkruajë. Tashmë kanë nënshkruar diku mbi 12 mijë persona dhe numri vazhdon të rritet. Kam një ndjenjë se këtë do ta nënshkruajnë edhe shumë të tjerë dhe këtë peticion ta dorëzojmë para Samitit, më 20 qershor. Këtë do ta dorëzoj te presidenti i Këshillit Evropian, pastaj presidenti i Francës, në Parlamentin Evropian, por edhe në shumë vende të BE-së”, tha ajo.

Shumë vende, thotë ajo, janë për liberalizimin e vizave për Kosovën, por ka dy përjashtime që janë: Franca dhe Holanda. “Presidenti Makron duhet ta ketë parasysh këtë kërkesë, pasi Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet”, tha pos tjerash Kati Schneeberger.

Peticioni i nisur nga ajo quhet “Liberalizim të vizave për Kosovën, tani!”.

(Visited 58 times, 1 visits today)