Tifozëve u ndodh shpesh të shikojnë një futbollist dhe ta imagjinojnë siç duan ata. Nëse një lojtar mban veshur fanellën e skuadrës së zemrës, atëherë ai bëhet automatikisht “një nga ne”. Kjo gjë e bën akoma më të çuditshëm zbulimin e së vërtetës: futbollistët, që janë padyshim profesionistë brenda fushës së lojës, nuk kanë pothuajse kurrë rivalitete personale, veçanërisht nëse luajnë në kampionatin e një vendin ku nuk kanë lindur.
Deklaratat e Aguero, qendërsulmuesi i Manchester City, kanë tronditur rrjetet sociale: “El Kun”, ndoshta një nga futbollistët më të rëndësishëm të historisë së viteve të fundit të “Citizens”, nuk ka shumë miq në Manchester. Dhe kur del, e bën me një futbollist të United. Një dush i ftohtë për tifozët, që shpesh harrojnë të kaluarën e një futbollisti. Aguero, siç ka shkruar “The Sun”, ka rrëfyer në serialin televiziv “All or Nothing”, që i dedikohet City-it, se e kalon pjesën më të madhe të kohës në qytetin anglez në vetmi, por ka shtuar më pas se:
“Kur nuk jam vetëm, kaloj më shumë kohë me De Gea, sepse kemi luajtur bashkë tek Atletico Madrid. Kemi një miqësi të madhe, pavarësisht se ai luan te Manchester United dhe unë te City”. Njeriu para futbollistit, në një botë që shpesh adhuron futbollistin para njeriut, duke harruar se janë njerëz si gjithë të tjerët. Që mund të anashkalojnë një rivalitet sportiv, edhe pse bëhet fjalë për një rivalitet legjendar.
Një deklaratë e thjeshtë, e bërë me zemër të hapur nga “Kun”, por që ka shkaktuar reagimin e tifozëve anglezë. Nuk ka pasur asnjë ligësi kundrejt sulmuesit argjentinas, por është dukur qartë habia e popullit të Tëitter-it, që ka mbetur i befasuar edhe vetëm nga mundësia e ekzistencës së një miqësie të madhe mes një futbollisti të City-it dhe United. Rezultati final ka qenë mosmiratimi nga ana e të dy tifozerive i kësaj miqësie. Gjithsesi, De Gea dhe Aguero nuk kanë nevojë për miratimin e tifozëve për të qenë miq me njëri-tjetrin.