Prokurori special, Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje ditë më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, është lajmëruar më në fund. Përmes një letre publike, prokurori Blakaj ka treguar arsyet e dorëheqjes së tij nga posti i prokurorit special, duke thënë se dorëheqja e tij ka dy porosi: “protestë dhe mesazh”.
Ai ka thënë të ketë qenë i kërcënuar si pasojë e rastit me të cilin po merrej, me atë të veteranëve të rrejshëm, duke pranuar shumë thirrje e mesazhe të tilla si: “ki kujdes ku je hi”, “ki kujdes se po do mi njollos vlerat e luftës”, “pse a po të dhimbën paret e shtetit ty, a mos po t’i marrim ty”, “le, bonja si tjerët” etj.
Në letrën e dorëheqjes Blakaj ka përmendur edhe disa prokurorë kosovarë, të cilët sipas tij kanë qenë në zyrë kur kryeprokurori i shtetit Aleksander Lumezi e kishte ftuar në zyrën e tij dhe kishte kërkon llogari rreth asaj pse e ka ftuar në intervistim Kadri Veselin (madje edhe si deshmitar) për rastin e “Veteranëve”.
Thotë se asnjëri nga prokurorët nuk i doli në krahë. Blakaj thotë se kryeprokurori i ulërinte në zyrë para Reshat Millakut, Drita Hajdarit, Lulzim Sylejmani.
“Sinqerisht nga nga ai moment jam shokuar për nivelin e tij, e për me shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përseri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z.Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte derguar në gjykatë”, ka shkruar Blakaj.
Gazeta Express, ka prokura që të kontaktojë me të apostofuarit në letrën e Blakajt. Por asnjëri nga këta prokuror nuk ka qenë i qasshëm në telefon. Telefonat e të gjithëve janë mbyllur./Express/