Me fyerje e sharje ndaj të akuzuarve, mbrojtjes dhe palës së dëmtuar është karakterizuar seanca gjyqësore ndaj 10 të akuzuarve si pjesë e “Syrit të Popullit.
Në këtë seancë, e cila zgjati rreth katër orë, i dëmtuari avokati, Azem Vllasi, është fjalosur me mbrojtjen dhe të akuzuarit, raporton KTV.
Në shumë deklarime, ai nuk është pajtuar me të pandehurit dhe kërkesat e mbrojtjes për hedhjen poshtë të aktakuzës, për çka i ka ofenduar ata me fjalë.
Në të njëjtën mënyrë, i janë përgjigjur edhe të akuzuarit, për të cilët Prokuroria pretendon se së bashku kishin për qëllim të kryenin atentate ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit.
Prokurori Sylë Hoxha, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se ka prova të mjaftueshme materiale ndaj të akuzuarve.
Ndërkaq, Azem Vllasi, i cili ishte plagosur nga Murat Jashari, ka thënë se nëse ai tregon planin, motivet dhe kush e shtyu atë ta kryente sulmin, është në gjendje ta falë duke u tërhequr.
Derisa kërkoi dëmshpërblim në vlerë prej rreth një milion eurosh.
Por, i akuzuari Sadri Ramabaja, ish-asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, tha se paraburgimi i tij dhe ky proces gjyqësor është montim dhe persekutim politik.
Edhe i akuzuari tjetër Murt Jashari, për të cilin mbrojta kërkoi që mos të paraqitet në seancë, për shkak të gjendjes së tij psikike, tha se gjykata është e kapur nga mafia politike.
Mbrojtja ka kundërshtuar aktakuzën, duke thënë se e njëjta duhet të hidhet poshtë, pasi që është e pabazuar në fakte dhe argumente.
Kurse, mbrojtja e disave nga të akuzuarve të cilët kanë shtetësi të Zvicrës dhe Gjermanisë, kërkuan që të lirohen nga masa e paraburgimit, për shkak të dokumentacionit, por gjykata e ka refuzuar kërkesën.