Haradinaj: Thaçi do të shkarkohet nëse shkel Kushtetutën, vijën e kuqe në dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dërguar të fala presidentit të Republikës, nga qeveria e Kosovës.

Ai i ka tërhequr vërejtjen të parit të shtetit që nëse bëhet shkelës i kushtetutës, do të përfundojë i shkarkuar sikurse disa presidentë të tjerë, raporton KTV.

Haradinaj ka thënë se Kosova ka vijë të kuqe sa u përket temave që do të diskutohen në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Kreu i ekzekutivit ka shtuar se mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë ndarje e as lëvizje territoresh.

Ndërkohë, kabineti qeveritar ka miratuar Raportin për arritjet dhe sfidat në zbatimin e Marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, e i njëjti do t’i dërgohet edhe Kuvendit.

Kryeministri ka folur edhe për konsensusin për dialogun e tha se sinjale pozitive ka marrë nga LDK-ja e PSD-ja.
Nga ana tjetër, LDK-ja vazhdon të përsërisë se presidenti Hashim Thaçi nuk ka legjitimitet për të udhëhequr me dialogun.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se qytetarët duhet të vendosin vijë të kuqe për Presidentin.
Hoti foli edhe për qëndrimi i nënkryetarit të partisë, Lutfi Haziri, i cili është shprehur pro që presidenti Thaçi të jetë kryenegociator me Serbinë.

Një ditë më herët në Rubikon të KTV-së, Haziri tha se LDK-ja nuk është kundër, megjithëse ka deputetë që e kundërshtojnë.
Por, ai ka thënë se për këtë vendos kryesia e kësaj partie.

Leave a Comment