“SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e para të Pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera”, kjo ishte kryefjala e saj që Hillary Clinton tha në parlamentin shqiptar.
Fjala e plotë e Clinton-it në parlament
Jam e gëzuar që jam këtu dhe që kam mundësi për të folur para parlamentit të një Shqipërie të lumtur, të pavarur dhe demokratike. Është nderi i madh, se sot bashkohem me ju, teksa festoni jubileun e 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe kjo ka qenë një fitore e madhe për të cilën ju keni luftuar shumë. Kur po vija me Topallin pashë fotografitë e paraardhësve tuaj dhe kaq shumë ka ndryshuar gjatë 100 vjetëve, por diçka që është kostanate është që, SHBA-të kanë qenë dhe janë partnerët dhe miqtë tuaj.
Lidhjet tona janë forcuar dhe shumëzuar dhe kjo nuk është vetëm midis qeverive, por edhe popujve tanë. Populli amerikan dhe ai shqiptar kanë të njëjtën aftësi për të treguar aftësi. Ju, sikurse ne, keni qenë të vendosur për të qenë të lire për të ndërtuar një demokraci të gjallë dhe ekonomi të lulëzuar dhe për të krijuar një të ardhme paqeje dhe oportuniteti për të gjithë.
Jam shumë e lumtur për marrëdhëniet tona historike, si edhe jam mirënjohëse për kontributin e shqiptarëve në SHBA. Ata janë pjesë e qeverisë amerikane dhe kanë restorantet më të mira në botë.
Zoti President, është nder i madh që sot mora urdhrin e Flamurit Kombëtar, do ta vlerësoj këtë për jetë. Ishte edhe një simbol tjetër i miqësisë së madhe midis nesh.
100 vjet më parë presidenti i SHBA-ve, Uillson mbroj pavarësinë e Shqipërisë dhe ndaloi copëtimin e këtij vendin në fund të Luftës së Parë Botërore. Nga dekada që kanë ndryshuar presidentët amerikanë demokratë dhe republikanë, ata kanë përkrahur me vendosmëri të drejtat dhe lirët e shqiptarëve, jo vetëm këtu por në të gjithë rajonin.
Isha shumë e lumtur që bashkëshorti im krijoi fondacionin e sipërmarrjes si Presidenti Klinton krijoi fondin e sipërmarrjes për të sjellë investime në Shqipëri.
Bush u bë presidenti i parë që viziton Shqipërinë dhe në 2009 Obama kishte kënaqësinë t’ju ftojë si anëtarët më të rinj të NATO-s. SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera.
“Keni potencialin për t’u bërë model për botën”
Ky jubile nuk është vetëm për të kaluarën por edhe një synim për të ardhmen. Sot deputetët të zgjedhur nga populli angazhohen dhe diskutojnë në mënyrë të hapur në aktivitete që ishte të pamundur më parë.
Shqiptarë dhe amerikanë nuk janë asnjëherë të kënaqur dhe duam ta përmirësojmë sa më shumë jetën. Ju keni potencialin për t’u bërë një model jo vetëm për rajonin dhe Evropën por për të gjithë botën. SHBA kanë interes të madh për sistemin tuaj. Ne jo vetëm duam të shohim që marrëdhënia me ju të përmirësohet por duam që ju të zhvilloheni.
Ne e mbështesim plotësisht aspiratën e Shqipërisë për Evropën e Bashkuar, jo vetëm do ju forcojë ju por do të jetë edhe më mirë për BE-në. Ne nuk kemi votë por do u flasim miqve për t’ju mbështetur.
Bëni zgjedhje me standarde
Muajt që vijën janë shumë kritikë, jo vetëm për ju por edhe popullin tuaj. Si mikeshë shpresoj që të keni disa objektiva që ju t’i arrini.
Së pari punoni që zgjedhjet e tuaja të ardhme të jenë të hapur dhe të balancuara. Kjo është që populli shqiptar të ketë besim te ju si udhëheqës dhe t’i dërgoni një sinjal të fortë BE-së që politik në Shqipëri funksionin. Unë e di që ju po punoni për një proces zgjedhor të suksesshëm. Unë e di që se sa të vështira janë zgjedhjet politike dhe vota politike pasi kam marrë pjesë vetë.
U bëj thirrje qytetarëve dhe jo vetëm udhëheqësve që të punojë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të suksesshme. Është e rëndësishme në të njëjtën kohë që konsolidimi i demokracisë kërkon jo vetëm zgjedhje por edhe rregullin e ligjit, institucione të forta dhe sistem juridik të paanshëm në mënyrë që qytetarët të na mbajnë ne udhëheqësve në përgjegjësi.
Bëra çdo gjë për të fituar në zgjedhjet e 2008, por ai (Obama) fitoi dhe më kërkoi mua që të isha Sekretare e Shtetit. Kur më pyesnin si ka mundësi që dy njerëz kanë luftuar kaq shumë, si mund të punojnë të dy së bashku. Përgjigjja është e thjeshtë të dy ne e duam vendin tonë. Shpresoj që edhe ju të gjeni rrugën për bashkëpunim të sinqertë.
Ju vazhdoni të besoni tek vizioni juaj politik por interesi partiak duhet të vihet mbrapa interesave kombëtare dhe kjo është detyra e udhëheqësve demokratikë.
Këto zgjedhje janë thelbësore për konsolidimin e demokracisë së përhershme. Vetëm ju dhe vetëm ju mund ju u përgjigjeni pyetjeve nëse Shqipëria do të vazhdojë qeverisjen e mirë dhe të vazhdojnë që fitojnë mirëbesimin e popullit dhe të lini mënjanë diferencat politike për të mirën e vendit dhe të mbështetni reformat? A do të luftoni korrupsioni? A do të punoni për të hyrë në BE si një rrugë për paqe afatgjatë.
A do të vazhdoni të jeni një model për rajonin? Toleranca fetare që keni është një dhuratë e veçantë që nuk gjendet në vendet e tjera. Ju duhet ta vlerësoni dhe përdorini si një argument të veçantë të vendit. Këto janë pyetje që unë nuk i kam përgjigjet por di vetëm pyetjet dhe kam besim tek ju.
SHBA- të ju mbështesin për vendimet e vështira që do të merrni. Ne jemi partneri juaj, Shqipëria dhe SHBA-të janë së bashku. Ne e dimë se çfarë bote duam për fëmijët tanë dhe brezat që vijnë. Tolerante dhe përfshirëse. Është detyrimi ynë që të japim rezultate për popujt tanë. Ju shikoj ju dhe shikoj të ardhmen. Besoj që ju do t’i kapërceni vështirësitë dhe do të merrni të gjitha mundësitë që shekulli ju ofron dhe unë do të jem mbështesja juaj. Nëse doni të shkoni demokraci të vërtetë, do ju them njerëzve shkoni në Shqipëri. Zoti ju bekoftë, Zoti bekoftë Shqipërinë.
(Ora 12:30) – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka çelur e para punimet e seancës së sotme parlamentare për nder të vizitë së Sekretares amrikane të Shtetit, Hillary Clinton. Ndër të tjera ka thënë: “Është moment i shënuar vizitën në Shqipëri vizita e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, por vizita e Clinton është ngjarje historike, përveçse e bukur është shumë emocionuese. Vizita është edhe lumturi, edhe privilegj.
Çdo përvjetor është i rëndësishëm dhe ai festohet me miqtë dhe ju jeni një prej miqve tëjetës. Vendi juaj është miku i madh i shqiptarëve, ju personalisht jeni mike shumë e çmuar e shqiptarëve. Shqipëria nuk do kishte këtë moshë, nëse presidenti Willson nuk do kishte ngritur zërin në një momet kyç për Shqipërinë.
Shqipëria nuk do ishte kjo, nëse në 1999 nuk do kishte ndërhyrë SHBA për çlirimion e gjysmës së kombit tonë. Edhe rrëzimi i pushteti në vitin 1990 është i lidhur me SHBA-të, çlirimi Kosovës është i lidhur me SHBA-të, anëtarësimi në NATO është i lidhur me SHBA-të.”
(12:18) Berisha emocionohet nga vizita e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Nga pamjet filmike të shtrëngimit të duarve në ambientet e jashtme të Kryeministrisë u vu re ‘gatishmëria’ dhe sjellja e tij prej kavalieri në momenti që Clinton po hiqte pallton. Berisha në këtë moment menjëherë kapi pallton dhe më pas ia kaloi një presoni të stafit. Por nuk ishte vetëm ky detaj që ra në sy. Edhe në bisedën e shkurtër në sallën e Këshillit të Ministrave, Berisha u shfaq i emocionuar, pasi u duk që kishte vështirësi në artikulimin e fjalëve në anglisht.
(Ora 12:09) Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, sapo ka përfunduar takimin me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Takimi mes tyre është zhvilluar në ambientin ku zhvillohet mbledhja e Këshillit të Ministrave.
(Ora 11:48) Pas takimit me Presidentin Nishani, Clinton ka udhëtuar drejt Kryeministrisë, për t’u takuar me Kryeministrin, Sali Berisha. Ndryshe nga vizitat e Clintonit në Serbi dhe Kosovë, ajo nuk do të mbajë konferencë shtypi me Kryeministrin, por do të marrë pjesë në punimet e Parlamentit, ku dhe do të mbajë një fjalim të posaçëm.
(Ora 11:30) Takimin e parë në Tiranë, Hillary Clinton e ka zhvilluar me Presidentin e Republikës, Bujar Nishanit, takimi, i cili po mbahet në Pallatin e Brigadave. Clinton do të dekorohet nga Presidenti me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, Urdhër i cili i është dhënë edhe bashkëshortit të saj, ish-predidentit të SHBA-ve, Bill Clinton. Takimi po zhvillohet pa praninë e gazetarëve ndërkohë që do të lejohet vetëm prania e operatorëve.
(Ora 11:15) – Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, mbërrin te Pallati i Brigadave. Ndërkohë që Clinton pritej të mbërrinte në Pallatin e Brigadave, 14 ish-të përndjekur politikë kanë dalë në një protestë në afërsi të Kuvendit të Shqipërisë, përballë Katedrales, por policia ka ndërhyrë menjëherë, duke i shoqëruar në komisariat. Ish-të burgosurit politikë, të nisur drejt bulevardit për të protestuar në sy të Clinton ndaj qeverisë së Berishës, janë pikasur nga policia dhe janë arrestuar. Megjithatë, sipas gazetarëve të ‘Shekulli’-t në terren, ekziston mundësia që të dalë sërish ndonjëri prej tyre në momentin që do të mbërrijë aty Hillary Clinton, pasi dhe selia e të përndjekurve politikë gjendet fiks përballë Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë zonë lejohen vetëm kalimtarë.
(Ora 11:00) Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ është tërësisht i boshatisur nga makinat për vizitën e Hillary Clinton. Sipas gazetarëve të ‘Shekulli’t në terren, nuk gjendet asnjë automjet të vetëm, përveç atij të kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj, përballë Kryeministrisë. Janë të bllokuara akset rrugore në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, bulevardin ‘Zhan D’Ark’, ‘Bajram Curri’, ‘Pallati me shigjeta’ etj. Orari i bllokimit ka filluar që nga ora 22:00 e ditës së djeshme deri në orën 17:00 të pasdites së sotshme.
(Ora 10:40) – Ka mbërritur rreth orës 10:40 në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ në Tiranë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton. Orë kjo e uljes së avionit me të cilin udhëtonte, mbi të cilin valvitej flamuri amerikan, i cili derisa kreu uljen e plotë në ngadalësimin e shpejtësisë së lëvizjeve mori rreth 10 minuta. Është pritur nga ministri i Jashtëm, Edmond Panariti dhe ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksander Arvizu. Më pas eskorta e gjatë e makinave të blinduara të policisë mori rrugën drejt autostradës, edhe pse në sfond të shoqëruara nga një mot gri me shi si i sotshmi. Drejt Pallatit të Brigadave, pasi takimi i saj i parë është parashikuar me Presidentin Bujar Nishani. Ndërsa më pas me Kryeministrin Sali Berisha, në Parlament dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Kjo është vizita e parë e Hillary Clinton në Shqipëri.
(Ora 09:00) Tirana sot zgjohet e blinduar nga masat e sigurisë për vizitën 4-orëshe të Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila pritet të mbërrijë në Rinas në 09:30. Ngado në rrugët kryesore dhe kryqëzimet, përveç flamujve shqiptarë dhe amerikanë, vihet re prania e policisë dhe lëvizje të tyre operacionale. Grupe-grupe, të vëmendshëm dhe duke dhënë e marrë urdhra nga shefat e tyre, policët gjenden jo vetëm përgjatë bulevardit, por edhe segmente larg tij, si tek ‘Tajvani’, në rrugët e Bllokut, tek ’21 Dhjetori’ etj. Janë angazhuar plot 1500 policë të reparteve RENEA, FNSH, efektivë të 6 komisariateve, të cilët do të shoqërojnë sigurinë e kreut të diplomacisë amerikane nga aeroporti dhe në rrugët kryesore të Tiranës.
Axhenda e takimeve
Mbërritja e Hillary pritet në Rinas në 09:30 dhe pas kësaj direkt ajo do të drejtohet për në Pallatin e Brigadave, ku takimin e parë do ta ketë me Presidentin Bujar Nishani. Më pas takimi i radhës do të jetë me shefin e qeverisë, Sali Berisha në ambientet e Kryeministrisë, rreth orës 11:45. Pas takimit me Berishën, Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton do të drejtohet për në Kuvendin e Shqipërisë, ku gjithashtu do të pritet në një ceremoni nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Klinton pritet që në seancën e sotshme parlamentare të ketë fjalën e saj. Nuk dihet ende ora dhe vendi i takimit të liderit të opozitës, Edi Rama, me Sekretaren amerikane të Shtetit. Vizita e Clinton bëhet në kuadër të turit të saj ballkanik që nisi me Sarajevën, pasoi me Beogradin, Prishtinën dhe pas Tiranës me Kroacinë.
Vizita, bllokim trafiku
Shënohet kaos në trafik sot në mëngjes për shkak të vizitës së Sekretares amerikane të Shtetit. Më të bllokuara apo më me vështirësi për të lëvizur kanë qenë rrugët kryesore drejt qendrës së kryeqytetit nga do të kalojë eskorta diplomatike dhe ku gjenden edhe institucionet e shtetit. Shiu i dendur e ka bërë edhe më të vështirë situatën.