Zbulohen dy emra: Ja dy figurat që kërcënuan prokurorin i cili dha dorëheqje ditë më parë

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar edhe një herë për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj. Abdixhiku thotë se Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj e kërcënuan Blakajn në vend se t’i ofronin mbështetje. Sipas tij, janë Veseli e Haradinaj dhe bashkëpartiakët e tyre, ata që ndërtuan skemën e mashtrimit të mbi 20 mijë veteranëve të rrejshëm.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Njerëzit kryesorë të luftës, bartësit e vet UÇK-së, po e konfirmojnë tashmë të diturën; Kosova i kishte 12,700 ushtarë. Nga buxheti i Republikës megjithatë, sot paguhen 38,000 veteranë. Është fare e thjeshtë, kushdo që nuk e konteston sot mashtrimin është pjesë e vet mashtrimit.

Haradinaj e Veseli në vend të ofrimit të mbrojtjes për një prokuror të kërcënuar – siç bëjnë rëndomë burrëshretasit serioz – zgjodhën të përforcojnë kërcënimin ndaj prokurorit Blakaj edhe më shumë. E quajtën prokurorin “frikacak”, “pishpirik”, “hajn të pulave” e “njeri që s’e don Kosovën”. Bënë kështu sepse të dy këta, bashkë me bashkëpartiak të tjerë, me vetëdije të plotë kanë ndërtuar skemën më të madhe mashtruese në vend; 20 e kusur mijë veteranë të rremë për 100 e kusur mijë vota për pushtet. Ky pazar kushton 40 milion euro në vit – për bindjen e tyre naive “para të shtetit” jo tonat, prandaj “ku po na dhemb?!”.

Këtë skemë, në ftohtësinë e skajshme të papërgjegjshmërisë, e kanë ndërtuar mbi kujtesën e luftës; aty ku s’bën të ndërtohet asnjë mashtrim. Në botëkuptimin e tyre të sotëm për shtet, gjithçka jepet për pushtet. Edhe kujtesa e luftës; edhe dinjiteti i veteranit t’njëmendt; edhe mirëqenia në liri; e së fundmi madje edhe vet kufiri i shtetësisë.

Rrënimi i skemës mashtruese është rrënim i sistemit votues të tyre. Mbi këtë klientelizëm sot qëndrojnë të dy. Prandaj e mbrojnë me çdo mjet themelin e vet. Prandaj bëjnë që një prokuror të lëshoj Kosovën – e pas tij të frikësohet në palcë secili prokuror tjetër që mendon ta hetojë këtë mashtrim. E kanë egzistenciale këtë betejë.

Por zëri i tyre kërcënues s’është zë i shumicës. Logjika e tyre përvetësuese është veç formë e kapjes. Veprimet e tyre të sotme janë institucionalisht fatale.

Shumica megjithatë duan shtet. E kanë dashur gjithëherë. Këtë shtet duhet ta kërkojmë sot. Dorëzimi i Prokurorisë përballë kërcënimit është dështim i Kosovës përballë përpjekjeve tona për shtet. Ky rast definon edhe shoqërinë tonë. Këtu matemi sa jemi të gatshëm për shtetësi – si shoqëri. A e ulim kokën përballë një pakice kërcënuese, apo jemi të gatshëm të dalim mbi secilin kërcënim – prej kujdoqoftë ardhtë ai kërcënim.

Asnjë individ s’meriton nderin e gjunjëzimit të Kosovës për të. Asnjë. Dhe në këtë betejë, gjunjëzimi s’është alternativë.

Leave a Comment