Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur hajn dhe mashtrues ordiner kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. E gjithë ky ofendim ndaj Kurtit ka ardhur për shkak të pozicionimit të VV-së përkrah prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj.
Haradinaj ka thënë se Kurti nuk e ka humbur asnjë mundësi të vetme për ta ofenduar rendin dhe ligjin. Thotë se Kurti nuk i ka respektuar as gjykatat e lëre më prokurorët.
“Do që po e mbrojnë ligjin si rasti i Albinit i cili se ka hup asnjë mundësi për me e ofenduar rendin dhe ligjin, ai nuk ka respektuar gjykatë e lëre më prokurorë dhe tash po e mbron një prokuror i cili i ka dhënë një goditje sistemit të cilin Albini po e mbron e të cilin e ka refuzuar”, tha Haradinaj në RTV 21.
Tutje Haradinaj ka thënë se nëse dikush në këtë vend që prej 99’ i ka dhënë mundësi ligjit vendorë dhe ndërkombëtarë është ai, kurse për kundërtën e kësaj, që e ka ofenduar vendin Haradinaj ka thënë se ai është Albin Kurti.
“Sa a është hajn Albini, ai është hajn, ai është një mashtrues, ai është një ordiner, ai i ka mashtru njerzt e vet deri sa e kanë marrë vesh dhe sot s’janë me to. Nuk mundet një njeri si ai dhe disa njerz që po dalin në rrugë me ndal Kosovën , mund të kenë edhe agjenda tjera”, tha Haradinaj.
Blakaj është dorëhequr nga pozita e tij e prokurorit special javën e kaluar. Ai kishte dhënë dorëheqje për ta vazhduar karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Blakaj ishte duke i hetuar listat e fryra të veteranëve të UÇK-së, për të cilat kishte thënë se kishte marrë kërcënime të ndryshme.