Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, pajtohet me ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili nga burgu i Dubravës, ku është duke vuajtur dënimin, ka deklaruar se pas luftës janë identifikuar rreth 13 mijë ushtarë të UÇK-së.
Selimi, i cili ka qenë komandant i UÇK-së, duke folur në një intervistë për EO rreth dyshimeve për 19 mijë “veteranët e rrejshëm”, të identifikuar nga prokuroria, ka thënë se Sylejman Selimi u është referuar listave të veteranëve menjëherë pas përfundimit të luftës.
Sipas tij, ato kanë pasur nevojë të plotësohen dhe janë plotësuar duke u rritur numri i veteranëve, por jo deri në rreth 60 mijë. “Deri më tani, vlerësimin më objektiv dhe më të sinqertin e ka dhënë nga një ambient krejt jashtë nga këtu, nga burgu i Dubravës, Sylejman Selimi, i cili e ka thënë një të vërtetë edhe në përputhje me njohuritë e tij, por e ka thënë një të vërtetë në përputhje me rolin që e ka pasur ai”, thotë Selimi.
Rexhep Selimi, që në kohën kur janë themeluar njësitë operative të UÇK-së ka qenë drejtues i Drejtorisë së Operacioneve dhe është marrë drejtpërdrejt me zhvillimin e të gjitha zonave, thotë se që nga brigada e parë e deri te ajo e fundit e di përafërsisht numrin e luftëtarëve, madje në shkallën më të lartë të mobilizimit. Me një matematikë të thjeshtë, vazhdon Selimi, del se në asnjë variant UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 20 mijë luftëtarë.
Ai ndër të tjera ka vlerësuar se me fyerjen e listave të veteranëve, krahas kërcënimit të drejtësisë dhe dëmtimit të buxhetit të shtetit, është dëmtuar më së shumti historia e UÇK-së dhe, sipas tij, kjo është e dhimbshme. Selimi shprehet se fryrja e listave të veteranëve përbën shkallë të krimit të organizuar.