“Hajn i pulave, hajn ordiner”, “A ta kom vjedh nanën” – Ofendimet dhe reagimet e kryeministrit

Fjala “hajn” ka zënë një hapsirë mjaft të madhe në diskursin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Fillimisht Haradinaj “hajn ordiner” e quajti Blerim Rexhën, ish-kryetarin e bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit. E më keq iu drejtua prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj. Atij i tha “hajn i pulave”. Por krejtësisht ndryshe reagon kryeministri kur dikush atij i thotë “hajn”.
Ishte seanca e 7 marsit në këtë vit kur në Kuvend po diskutohej përjashtimi i Kosovës nga Regjistri Evropian i Cilësisë.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme kryeministri i vendit kishte shpërthyer në akuza të rënda drejt ish-kreut të bordit të AKA-së, Blerim Rexha.

Atë e kishte quajtur hajn ordiner, dhe njeri të korruptuar.

“Blerim Rexha është një hajn ordiner. Pse është hajn ordiner Blerim Rexha po ju tregoj unë. USAID është tërheqë prej Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe klanë thënë se sa të jenë ky njeri në bord nuk rrimë në bord sepse është i korruptuar”, kishte thënë i pari i qeverisë para deputetëve.

Kryeministri këtë fjalë nuk e harroi lehtë. E përdori për ta akuzuar edhe prokurorin që po hetonte manipulimet me listat e veteranëve, Elez Blakajn.

E quajti “hajn të pulave dhe pishpirik”. Kjo pasi Blakaj kishte gjetur se mbi 19 mijë veteranë janë mashtrues, dhe si pasojë i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 3 milionë në muaj.

“Me mi ofendu dikush me thanë janë shumë veteranë në Deçan e shumë në Pejë, e ku ke ti hajn që nuk ishte këtu në luftë”.

“Hajn i pulave është ai që flet kështu! Le të shkojë në të gjitha fshatrat, le t’i pyes sa prej këtyre njerëzve ishin në luftë. Të gjithë kanë qenë! Të gjithë luftuan. Po çohet ky po më tregon teori të veta. Nëse ka pas që kanë mashtruar, çoje në burg. Dikush po i jep të drejtë vetes të kategorizojë 19 mijë veteranë si shifër të tepërt. Nuk flitet kështu”, kishte thënë kryeministri Haradinaj.

Kryeministri njëjtë e ofendoi Blakajn edhe në një konferencë për media pas mbledhjes të qeverisë.

Edhe para gazetarëve ish-prokurorin special ai e quajti “hajn”.

Ditë më parë, lideri i VV-së, Albin Kurti kishte komentuar deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj bërë për prokurorin Elez Blakaj. Haradinaj, Blakajn e kishte quajtur “hajn” dhe “pishpirik” dhe lideri i VV-së kishte thënë se kryeministri me këto komente Blakajt ia kishte kontenstuar qenien e një qytetari.

Po ashtu Kurti i kishte dalë në mbrojtje Blakajt dhe kishte thënë se Kosovën në mjerim e kanë quar, Haradinaj, Veseli dhe Thaçi.

Kryeministri Haradinaj, ia ktheu liderit të VV-së, Albin Kurtin e quajti hajn dhe mashtrues.

“Do që po e mbrojnë ligjin si rasti i Albinit i cili se ka hup asnjë shancë për me e ofendu rendin dhe ligjin, ai nuk ka respektu gjykatë e lemo prokurorë dhe tash po e mbron një prokuror i cili i ka dhonë një goditje sistemit të cilin Albini po e mbron e të cilin e ka refuzu”, tha Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka thënë se nëse dikush në këtë vend që prej 99’ i ka dhënë mundësi ligjit vendorë dhe ndërkombëtarë është ai, kurse për kundërtën e kësaj, që e ka ofenduar vendin Haradinaj ka thënë se ai është Albin Kurti.

“Sa a është hajn Albini, ai është hajn, ai është një mashtrues, ai është një ordiner, ai i ka mashtru njerzt e vet deri sa e kanë marrë vesh dhe sot s’janë me to. Nuk mundet një njeri si ai dhe disa njerz që po dalin në rrugë me ndal Kosovën , mund të kenë edhe agjenda tjera”, tha ai.

Mirëpo me kaq lehtësi Haradinaj nuk po e pranoi fjalën hajn kur dikush po i drejtohet atij.

Më 12 korrik zjarrfikësit me orë të tëra qëndruan para qeverisë të cilët kërkuan përmirësim të kushteve.

Pas disa orësh kryeministri Haradinaj doli të takohet me ta. E njëri nga zjarfikësit iu drejtuar kryetarit të AAK-së me fjalët “ti je hajn”.

Haradinaj reagoi në mënyrë jashtëzakonisht të ashpër.

“Kush është ai që po thotë hajn, s’e di a ia kom vjedh babën a nënën… Le t’kallxon. Tanë jemi të qitij vendi, mos gaboni. Po e nij dikon duke thanë hajna. Nëse jam hajn atëherë shkoni në shpi se nuk kemi çka folim”, ishte reagimi i tij.

Ndryshe, ky diskurs që e përdor kryeministri është kritikuar shumë herë nga përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile.

Leave a Comment