Për disa vite liberalizimi i vizave mbetet një ndër çështje më aktuale për vendin, por përkundër premtimeve të shumta ende qytetarët e Kosovës, nuk janë të lirë të lëvizin në vendet Evropiane.
Njëra ndër datat më të fundit që është proklamuar nga politikanët është edhe muaji shtator. Të njëjtën gjë e ka potencuar edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, që ka thënë për mediat vendore se sinjali pozitiv i Komisionit Evropian për liberalizimi i vizave për Kosovën është hap i madh për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës.
“Pas pushimit veror, ne duhet të sigurohemi që të ecim me shpejtësi me të gjitha procedurat e nevojshme. Kjo së pari do të vihet në agjendën e Komitetit ‘LIBE’ që do të ndodhë menjëherë pas pushimit, atëherë do të vijë vendimi nga Parlamenti Europian, i cili jam i bindur se do t’i japë dritën jeshile regjimit pa viza në fillim të vjeshtës”, ka thënë raportuesi për Kosovën në PE.
Por, ekspertët shpresojnë që Kosovës të mos i shtohen kritere të reja për liberalizmin e vizave, pasi që kjo çështje ka cenuar rënd popullin shqiptar, ku sipas tyre ka mundësi që vendi mos të ketë viza deri në pjesën e dytë të vitit 2019.
“Dua ta besoj se nuk do të “luhet” më me Kosovën, nuk do të shtohen akoma të tjera standarde shtesë por do të liberalizohen vizat. Liberalizimi i vizave ka qenë në rajon presion ndaj qeverive, presion ndaj qeverive të Kosovës me radhë, ka qenë fatkeqësi për qytetarët e thjeshtë, pasi bosat e drogës dhe krimit i kanë patur të liberalizuara vizat, edhe politikanet i kanë patur të liberalizuar vizat”, ka thënë ai për “Bota sot.