“Boeing” sjell aeroplanin luksoz që mund të fluturojë 21 mijë kilometra pa ndërprerë

Kompania për prodhimin e aeroplanëve, “Boeing”, e ka prezantuar linjën më të re të aeroplanëve luksozë, të cilët, sipas kompanisë, do t’iu ofrojnë pasagjerëve VIP mundësi për të fluturuar pa ndërprerje mes dy qyteteve të çfarëdoshme në rruzullin tokësor.
Aeroplanët e quajtur “BBJ 777X” do të jenë në gjendje të fluturojnë në gjatësi prej 21 mijë e 570 kilometra pa ndërprerje, duke e shënuar udhëtimin më të gjatë komercial në botë. Varësisht nga rrugët ajrore të cilat përdoren nga aeroplani, besohet se kompania “Boeing” mund t’ia marrë kurorën kompanisë “Airbus” për udhëtimin më të gjatë.

Më herët gjatë këtij viti, kompania “Singapore Airlines” e realizoi një udhëtim që zgjati 17 orë nga Londra në Singapor, përmes aeroplanit “Airbus A350-900 ULR”. Sidoqoftë, gjatësia e udhëtimit më të gjatë në botë deri tash është 16 mijë e 700 kilometra, që është më e vogël se gjatësia e fluturimit që mund të realizohet nga aeroplanët e rinj të kompanisë “Boeing”.

Është parashikuar që këta aeroplanë të prodhohen në dy versione. Njëri do të quhet “BBJ 777-8”, ndërsa tjetri “BBJ 777-9”. Ky i fundit mund të fluturojë në një gjatësi pak më të vogël, por ofron hapësirë më të madhe, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.