Protestuesit në Francë janë mbledhur edhe sot në sheshin e kryeqytetit për ta mbajtur protestën e pestë me radhë, në vargun e protestave që tashmë po mbahen rregullisht çdo të shtunë. Mijëra policë janë angazhuar për ndërhyrje në rast të përplasjeve të dhunshme, të cilat janë parë në protestat e kaluara.
Kryengritja e protestuesve filloi para pesë javësh, fillimisht kundër ngritjes së çmimit të naftës, por tashmë ka ngritur edhe çështje tjera, përfshirë reformat në arsim. Vetëm sot janë arrestuar dhjetëra persona nga policia. Sidoqoftë, numri i arrestimeve është shumë i vogël, krahasuar me 500 arrestimet e kryera para një jave.
Përleshjet shpërthyen në qendër të qytetit, ndërsa policia hodhi gaz lotsjellës për ta shpërndarë masën e protestuesve, të cilët po përpiqeshin që të depërtonin përtej kordoneve të policisë. Disa dyqane dhe qendra tregtare kanë qenë të mbyllura, përderisa protestuesit nuk e kanë respektuar thirrjen e qeverisë për të qëndruar në shtëpi dhe për të mos dalur rrugëve.
Përpos Parisit, raportohet se protesta ka edhe në Toulouse, Grenoble dhe Lion. Ndikimi i këtyre protestave të vazhdueshme është mjaft i madh në Francë. Qeveria është detyruar t’i ndërmarrë disa masa për t’i plotësuar kushtet e protestuesve, të cilët si duket ende nuk janë të kënaqur dhe po e kërkojnë dorëheqjen e Emanuel Makronit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.