A po tallet me Jasharajn? Kurti e lë kështu konferencën: Duhet të shkoj me shpejtësi

Kryeministri Albin Kurti sot e la sërish konferencën për media. Aty doli bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa gazetarët ishin aty duke pritur për rreth një orë.

Konferenca u paralajmërua pas mbledhjes së Qeverisë, por ora nuk u bë e ditur. Gazetarët patën shumë pyetje dhe kur nisën ta merrnin fjalën një nga një, kryeministri dikur u ankua si me shaka.

“Ja.. nuk… për besë e kam të pamundur. Më duhet me shku edhe po e vërej një lloj organizimi”, tha Kurti.

Pas kësaj, kur përfundoi së përgjigjuri në një pyetje, ai tha se duhet të shkonte “me shpejtësi” dhe se s’mund “të qeveris në telefon”, raporton Gazeta Express.

“Faleminderit shumë e më vjen keq që duhet të shkoj me shpejtësi sepse nuk mund të qeveris në telefon prej kësaj foltoreje”, tha kryeministri,

Në të njëjtën mënyrë, Kurti e la konferencën për media të martën, pasi e kishte pritur në zyrë për takim kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn.

Kurti deklaroi dje se Jasharaj i kishte thënë se do ta pyeste anëtarësinë nëse do ta vazhdonin grevën, duke shtuar se “nuk e di çfarë anëtarësie është ajo që reduktohet në një telefonatë”.

“Posa dolën nga takimi deklaruan për media që greva vazhdon. Kur e pyetën anëtarësinë? Neve na u tha në takim që do ta pyesin anëtarësinë. Dhe oferta shtesë ishte kjo: do të jenë pjesë përmbajtësore e diskutimeve publike për ligjin mbi pagat. Dhe ne atyre ua dhamë lajmin të parët se këtë javë do të fillojë diskutimi publik. Nuk e di çfarë anëtarësie është ajo që reduktohet në një telefonatë. Nuk kam si ta kuptoj ndryshe”, tha Kurti dje.

(Visited 24 times, 1 visits today)