Alarmon Milazim Krasniqi: Shpalosen planet e reja të luftës, ky plan serb është rezervuar për Kosovën

Sipas profesorit universitar, Milazim Krasniqi, krerët serbë po konsolidohen për luftën e ardhshme kundër Kosovës.

“Trumbetat e luftës kundër Kosovës ranë dje në Bijelinë, ndërsa Kurti lufton kundër sindikatave tona/ Deri sa Albin Kurti po zhvillon luftë iracionale kundër sindikatave të Kosovës, krerët e serbizmit po konsolidojnë radhët për luftën e ardhshme të armatosur për “botën serbe”, si fillim kundër Kosovës. Dje në Bijelinë, në vendin ku Arkani pati masakruar civilë boshnjakë, Vuçiqi, Dodiku dhe kreu i Kishës Serbe, Porfirie, shpalosen planet e reja të luftës”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, nga dialogu Kosova nuk do të marrë njohjen nga Serbia.

“Vuçiqi deklaroi se nuk do ta japin asnjë pëllëmbë të tokës së Kosovës. Kush ka mend në krye e kupton se nga dialogu nuk do të ketë kurrfarë njohjeje. Më parë mund të priten incidente e ndonjë konflikt i armatosur lokal, i cili do ta minonte çdo mundësi edhe për ndonjë marrëveshje. Ky plan serb është rezervuar për Kosovën.

Ndërsa Porfirie deklaroi se “nuk jemi të sigurt se kufijtë e shteteve nuk do të ndryshohen”, duke kërcënuar Bosnjen dhe Malin e Zi. (Dodiku dukej si shefi i të dyve, meqë ai faktikisht është zëdhënësi i Putinit.) Pra, trumbetat e luftës për “botën serbe” dje ranë fuqishëm në Bijelinë. Për ata që kanë vesh”, shkruan profesor Krasniqi.

“Ata që nuk kanë as vesh e as mend, e vazhdojnë luftën mazohiste kundër vetvetes, siç po bën qeveria Kurti, e cila u ka shpall luftë edhe atyre që e kanë sjellë në pushtet. Bile edhe kur Vuçiqi futë banda të armatosura në territorin e Kosovës siç veproi më 31 korrik 2022, qeveria Kurti e vazhdoi e patrazuar luftën kundër sindikatave të Kosovës! Duket e pabesueshme. Por, ka mundësi që kanë të drejtë ata që thonë:”s’keni parë gjë akoma!” Këta njerëz që janë në pushtet, të vetmen gjë që dinë ta bëjnë me sukses është presioni kundër institucioneve tona dhe bashkëkombasve të vet”, përfundon reagimin e tij profesori universitar Milazim Krasniqi, përcjellë “Bota sot”.

Se Serbia po përgatitet për luftë, e ka thënë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar, dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitjet më të rëndësishme ushtarake që kishin qenë, të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllovene”, ka thënë kryeministri Kurti./Bota Sot

(Visited 76 times, 1 visits today)