Buzhala: Ia heqi kapelën Malokut, ju tjerët i keni 3000 kanale, pse po “pikeni” pas “It’s my home”?

Të premten e 16 shtatorit u publikua episodi i 28 i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Tri tema veçuan këtë pjesë, me “It’s my home”që u zgjerua në fillim, për të pasuar më pas lufta në Ukrainë dhe greva e sindikalistëveqë edhe më tutje nuk po përfundon, kjo shkak i arritjes së mosmarrëveshjes me qeverinë.

Autori Buzhala këtu foli edhe për shkrimtarin nga Skënderaj, Azem Deliu, i cili ironizoi me kritikuesit e spektaklit “It’s my home”.

Sipas Deliut, janë të njëjtit ata që nuk e përcjellin asnjë emision kulture apo libri, ndërsa kritikojnë emisione të tilla si ai i Valon Malokut, për të cilin Buzhala tha se gëzon respekt për punën që po e bën, pasi është tejet e vështirë t’i “detyrosh” mijëra njerëz të dërgojnë mesazhe, çmimi i të cilave kalon 1 euro.

“Azem Deliu e pat një postim, i mirë ke, tha unë kam pasë një emision që s’ka qenë “reality show”, ose Dragusha në T7, emision për kulturë, për libra, i kësaj natyre, me hy me pa shikueshmërinë, është për gjynah. Pra, të njëjtët njerëz që ankohen në “Facebook” e rrjetet sociale që kjo nuk është shija e atyre, pse s’po hyni me këqyr Dragushën ose Azem Deliun ose emisione të tilla të përafërta, po “hygjym” me i këqyr këta edhe “hygjym” me i mbyll këta. Të njëjtit që i këqyrin serialet turke, i këqyrin edhe këta”, tha fillimisht Buzhala.

Tutje, kreatori dhe ideatori i Ditarit shtoi se ekziston dyshimi që gjithë kjo të jetë një inskenim, pra të mbyllet një spektakël, për të mos i bërë konkurrencë një spektakli tjetër që pritet të fillojë shumë shpejtë. Këtu besoj e dini për kë po aludon Buzhala!

“Pra, nuk guxojmë me u bë viktimë, e njëfarë “fodollëku” e që pastaj prapa saj m’u fsheh konkurrenca, edhe me vra emisione e lojëra të ndryshme, veç pse ka me fillu një “reality show” tjetër ose veç pse konkurrenca e don të mbyllur. Mirë është mos m’i këqyr, po duhemi me ju garantu edhe këtyre të drejtën m’i thënë opinionet, në atë mënyrë që e mendojnë m’i debatu. A i këqyr ti a s’i këqyr, është çështje tjetër”, vazhdoi ai.

Veç kësaj, Berat Buzhala u bëri thirrje edhe kundërshtarëve të tij, ashtu siç i apostrofoi ai, me të cilët nuk e ka asnjë lidhje, që mos t’i lejojnë fëmijët ta shikojnë jo vetëm “It’s my home”, por edhe spektaklet e tjera simotra.

“Do doja t’u thoja edhe kundërshtarëve të mi, pra atyre me të cilat nuk kam kurrfarë kimie, ata si me thënë jo m’i shkatërru fizikisht, po m’u përballë deri në asgjësim të plotë me ta. Mos i leni fëmijet m’i këqyr, jo këta, po mos i leni fëmijët me këqyr edhe Big Brother, përveç nëse, në një kohë monotone, nuk doni me qesh me “show-un” e tyre, po me qesh me personazhet që janë brenda. Nuk na detyron askush, më përpara nuk është veç një televizion”.

Në pjesën e fundit ndërkaq, udhëheqësi i emisionit ua kujtoi lexuesve që nuk është më si në vitet e 80-ta. Tash kemi mijëra opsione. Nuk është zgjidhje të përqendrohemi pikërisht diku që nuk na pëlqen.

“Psh, njerëzit ende flasin me fjalë miradie për Radio Televizionin e Prishtinës që ka qenë vitet e 80-ta. Ka qenë propagandistik, po këso gjërash nuk ka leju, sepse ka qenë një televizion, ka qenë i sponsorizuar prej shtetit. Tash, të lodhet gishti me telefon duke kërku televizione,që thonë 3000 copa i kemi, pse po “pikeni” me hy në “Youtube” te “It’s my home”. Valon Malokut ia heqi kapelën për faktin se ka arrit me bë një biznes për veti, për faktin se ka arrit me i bind mijëra njerëz m’i çu mijëra mesazhe edhe me fitu prej saj 1 euro në mesazh. Shikueshmërinë “online” ky emision e ka pasë 11 mijë, unë e kam pa. 11 mijë në kohë reale”, përfundoi ai.

(Visited 32 times, 1 visits today)