“Fëmija më janë smu, pa hangër pa pi…”/ Qytetari rrëfen tmerrin në Turqi pas mashtrimit nga ‘Peja Reiseburo’

Pushimet që kishin planifikuar t’i kalonin në një nga resortet luksoze në Antalya të Turqisë, disa qytetarëve në qytetin e Pejës u janë shndërruar në makth.

Rezervimin që e bënë nëpërmjet agjensionit turistik ‘Peja Reiseburo’, doli të jetë fiktiv, pasi që në sistem nuk figuruan fare si mysafirë të hotelit në fjalë. Pronari i kompanisë, Eros Idrizaj, dyshohet se i ka mashtruar ata, duke u marrë shuma të majme parash, mirëpo duke mos kryer shërbimet për të cilat është paguar, raporton Gazeta Sinjali.

Pas raportimit ekskluziv, në redaksinë e Sinjalit kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët të cilët kanë rënë pre e mashtrimit, e që të mllefosur ndajnë përvojën e tyre të hidhur me agjensionin ‘Peja Reiseburo’ dhe pronarin e saj, Idrizaj.

Një nga ta ka bërë të ditur për Sinjalin se tash e dy ditë ndodhet në Turqi bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij të mitur. Për pushimet familjare ai thotë se pagoi hiç më pak se 2 mijë euro në hotelin luksoz ‘Sunmelia Resort’.

Telashet e udhëtimit, L.O. thotë se kanë filluar që para se të niseshin për Turqi, pasi që sipas tij, ai dhe familja planifikonin të udhëtonin për në Antalia më datën 11.

Por pas gjithë përgatitjeve, ata janë njoftuar nga agjensioni se udhëtimi është shtyrë për datën 12 shtator. Por për ta veçse kishte filluar maltretimi, pasi që me të arritur në aeroport, L.O. me familje dhe katër familje tjera, janë njoftuar nga stafi i aeroportit se ata nuk mund të udhëtojnë, për shkak se nuk janë fare në sistem.

“Kam shku me 12 më thojshin në aeroport nuk je në sistem mu edhe nja katër familjeve tjera. E kemi thirrë në ora 04:00 të mëngjesit para se mu ba nisja këtë Erosin, kam bisedu unë e babai, krejt i kemi thanë na ki lanë t’u pritë në aeroport, çka me ba se këta po thojnë që nuk jeni në sistem”, rrëfen L.O. për Sinjalin.

Sipas të dëmtuarit, pas gjysmë orë Eros Idrizaj ka intervenuar dhe qytetarët që po prisnin në aeroport kanë udhëtuar për në Turqi, ku janë pritur nga një agjension turk të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtor të ‘Peja Reiseburo’. Por ata sërish nuk janë dërguar në hotelin për të cilin kanë paguar, por në një hotel krejt tjetër.

“Kur jom shku te ai hoteli m’kanë thanë që s’ki rezervim. M’kanë lanë t’u u sillë e t’u bisedu me recepsion të hotelit deri në 6 masdite. Pa hangër, pa pi, fmitë pa gjumë”, tha ai.

(Visited 171 times, 1 visits today)