Nënkryetarët e Përparim Ramës, të magjepsur me Kurtin e Osmanin

Dy nënkryetarët e komunës së Prishtinës, njëri nga LDK-ja e PDK-ja, brenda një kohe të shkurtër kanë thurur lavde për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përkatësisht presidenten Vjosa Osmani.

Edhe pse u takojnë partive më të mëdha opozitare, kjo nuk i pengon që të përkrahin liderët e pozitës.

Sot Alban Zogaj, nënkryetar i Prishtinës nga subjekti i LDK-së, ka bërë tifo për Kurtin teksa ky i fundit po provonte “backhandin” e tij në tenis.

Kurti, mori pjesë në përmbylljen e Festivalit të Tenisit për vitin 2022, aktivitet ky i organizuar nga Federata e Tenisit dhe e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Aty teksa Kurti bëri një paraqitje të vogël, Zogaj u kap në video duke u ‘serviluar’ para kryeministrit.

Në anën tjetër, Donjeta Sahatçiu nga PDK, ka komentuar fjalimin e Osmanit në hapje të samitit “Gratë në Teknologji”, që po mbahet në Paris të Francës.

“Ne kemi nevojë për më shumë se fjalë e fjalime. Kemi nevojë për kurajo. Kemi nevojë për veprim”, e ka cituar Sahatçiu një pjesë të fjalimit të Osmanit atje. /GazetaExpress/

(Visited 130 times, 1 visits today)