Pse ‘Biden nuk e ftoi’ në takimin me vendet e NATO-s? Kjo ishte përgjigja që tanimë është bërë virale e presidentit Erdogan (Video)

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka dhënë një përgjigje interesante – që është bërë virale në rrjetet sociale – kur është pyetur se pse presidenti amerikan Joe Biden nuk e ftoi në takimin e tij me gjashtë vende anëtare të NATO-s.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, përgjigja e presidentit Erdogan erdhi derisa ai mbajti një konferencë shtypi në Qendrën Ndërkombëtare të Konferencave në ditën e fundit të Samitit të Liderëve të G20 që u mbajt në Bali të Indonezisë.

Aty, siç raportojnë mediat turke, njëri nga gazetarët i kujtoi presidentit Erdogan raketën që ra në territorin e Polonisë anëtare të NATO-s mbrëmë dhe tha: “Presidenti i SHBA-së, Joe Biden mbajti një tjetër takim në hotel me shumë vende anëtare të NATO-s. Pse nuk ishit atje? Shihni ndonjë ndarje mes anëtarëve të NATO-s?”.

Dhe kësaj pyetjeje Erdogan iu përgjigj: “Gjashtë shtete u mblodhën. Pse nuk pyet 20 vendet e tjera anëtare të NATO-s? … Nuk ishte aq e rëndësishme, na ftojnë në punë të rëndësishme. Nuk kemi nevojë të shkojmë në çështje të parëndësishme. Mirë?”.
Ndryshe, një seancë e jashtëzakonshme e ambasadorëve të NATO-s për të diskutuar për rënien e dy raketave në Poloni, të cilat nuk dihet se nga janë lëshuar, është raportuar se është zhvilluar në selinë e Aleancës në Bruksel.

Seanca e sotme ishte paralajmëruar mbrëmë nga kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se është bërë me kërkesë të Polonisë, vend anëtar i Aleancës Veri-Atlantike, në territorin e të cilës ranë dy raketa, ku si pasojë humbën jetën dy persona.

“Është e rëndësishme të vërtetohen të gjitha faktet”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm lidhur me shpërthimin vdekjeprurës që vrau dy persona.

Ukraina akuzon Rusinë për incidentin, e Moska ka hedhur poshtë pretendimet se është përgjegjëse – duke pretenduar se shpërthimi ishte një provokim nga perëndimi.

(Visited 31 times, 1 visits today)