Targat ‘RKS’, në Serbi ashpërsohet retorika: ‘Nuk heqim dorë nga targat ‘KM’, janë dëshmi që shteti i Serbisë është i pranishëm në Kosovë’

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic, ka ashpërsuar retoriken sa i përket targave RKS, vendim ky i marrë nga kryeministri Kurti për qytetarët serb që jetojnë në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.

Vucic ka thënë se nuk do te heqin dorë nga targat ‘KM’, ndërsa ka shtuar se edhe kartat e identitetit të Serbisë në Kosovë, janë dëshmi që shteti i Serbisë është ende i pranishëm në Kosovë.

“Nuk do të tërhiqemi. Targat KM, sikurse edhe kartat e identitetit të Serbisë në Kosovë, janë dëshmi për ne që shteti i Serbisë është ende i pranishëm në Kosovë. Për ne është një gjë mjaft e vlefshme që të mund të themi se Kosova është pjesë e Serbisë. Kjo është esenca” ka thënë ai.

Ndërsa duhet theksuar se përkundër disa takimeve në Bruksel, nuk ishte arritur asnjë marrëveshje me palën serbe lidhur me targat.

Ndryshe, muaj më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

E që prej 1 shtatorit e deri më tani, vetëm një automjet është regjistruar me targa RKS në katër komunat veriore të Kosovës. Këtë e konfirmojnë disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për “Kosovapress”./gazetametro.net

(Visited 135 times, 1 visits today)